“Boll gabuam”, lojtari i Kastriotit “qan” pikët e lëna

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 18:26

“Boll gabuam”, lojtari i Kastriotit “qan” pikët e lëna

Kastrioti është i “fiksuar” pas barazimeve këtë sezon. Në 5 javë të luajtura, ka sigluar tri të tilla. Janë lënë 6 pikë rrugës, të cilat ua kanë prishur ndjeshëm llogaritë. E megjithatë, vend për ta bërë dramë nuk ka. Edhe pse kanë hedhur hapa të gabuar, krutanët i ngushëllon fakti që ende nuk kanë humbur dhe mbi të gjitha që janë -1 nga vendi i parë. Në fundjavë presin në shtëpi Burrelin dhe fitorja është detyrim, ndaj edhe shanset për të rikuperuar janë të mëdha.

sefgjini-kruje-1024x682

Taulant Sefgjini beson jo vetëm te kthesa, por edhe ngjitja në elitë. Për “Panorama Sport”, mbrojtësi i linjës së majtë skanon 450 minutat e para të këtij sezoni. Lojtari i ardhur këtë verë në Krujë paralajmëron se ka ardhur koha që gabimet të ndalohen.

“Kur më erdhi ftesa për t’u bërë pjesë e Kastriotit, e pranova me shumë kënaqësi, pasi ky është ekipi më i mirë i Kategorisë së Parë. Këtu gjeta një ambient të ngrohtë, me lojtarë të mirë dhe të përkushtuar, me një staf që punon fort, për ta përgatitur skuadrën sa më mirë. Deri më tani, kemi zhvilluar pesë javë kampionat dhe të them të drejtën, me përjashtim të Egnatias, në të gjitha ndeshjet e tjera skuadra ka zhvilluar lojëra të mira. Nga java në javë, loja e skuadrës është rritur, por na ka munguar edhe pak fati. I kemi dominuar kundërshtarët, kemi krijuar volum loje, raste të pafundme, si me Besëlidhjen, Tërbunin, apo edhe ndeshjen e fundit me Shkumbinin, por kemi çaluar te shënimi i golave. Pavarësisht se në ndeshjen e fundit me Shkumbinin arritëm të shënonim dy gola, kundërshtari na barazoi.

Mbase e menduam të fituar dhe kjo na penalizoi. Në fund, lamë dy pikë. Megjithatë, çfarë ka shkuar, nuk kthehet më pas. Tani jemi të përqendruar totalisht te java e 6-të me Burrelin, të cilën e kemi marrë mjaft seriozisht. Është një përballje e vështirë, por jam më se i bindur që do të vijë ajo kthesa e madhe. Nuk duhet të gabojmë më. Jemi vetëm në javët e para të kampionatit dhe kemi lënë gjashtë pikë, ndaj kjo nuk duhet të ndodhë më. Një ekipi pretendent si Kastrioti nuk i lejohen kaq hapa fals. Le të nxjerrim mësime dhe të mos përsëritet më historia. Kastrioti është një skuadër, ku ka një ndërthurje të bukur me lojtarë me eksperiencë dhe të rinj premtues, ndaj gabimet duhet të jenë sa më të vogla. Tashmë duhet të shohim përpara, na presin sfida të vështira, por siç e theksova më lart, nëse punojmë fort, çdo gjë është e mundur”, përfundoi mbrojtësi.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"