“Boll fola unë, radha e lojtarëve”, Mërgjyshi: Për Flamurtarin ia bëra të qartë futbollistëve se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 19:20

“Boll fola unë, radha e lojtarëve”, Mërgjyshi: Për Flamurtarin ia bëra të qartë futbollistëve se…

Te Besa nuk është folur kurrë më shumë se tani. Shkak për këtë janë bërë dy rezultatet zhgënjyese, fillimisht barazimi me Lushnjën e më keq humbja në Pogradec. Kjo solli edhe debate mes Nexhat Bizhdili dhe drejtuesve të Egnatias e Lushnjës. Nuk mbaron me kaq, pasi presidenti u dha “dajak” të besuarve të tij edhe në analizën e zhvilluar në fillimjavë.

mergjyshi

Me këtë situatë e pret Besa ballafaqimi me Flamurtarin, që do të luhet nesër. Kujtojmë se kavajasit fitoren e vetme jashtë shtëpisë e kanë pikërisht në Vlorë (0-3). Pas më shumë se një muaji, verdhezinjtë do të kthehen në stadiumin e Luzit për të pritur kuqezinjtë. Trajneri Artan Mërgjyshi ka preferuar të mos e analizojë këtë pragndeshje, pasi pret që të flasin në fushë vetë futbollistë me rezultate. “Këtë javë është folur aq shumë mbi ekipin, sa nuk është bërë gjatë 4 muajve rresht. Shkak u bënë dy rezultatet zhgënjyese me Lushnjën e Pogradecin.

Ka folur presidenti Bizhdili, kam folur unë në analizë, por edhe gjatë gjithë javës. Nuk kam çfarë t’u them më lojtarëve. Ua kam bërë të qartë se janë ata që duhet të flasin në fushë me rezultate. Fjala e tyre mbetet të thuhet nesër dhe duhet të jetë fitorja ndaj Flamurtarit. Këtë pres. E quaj detyrim moral dhe mbi të gjitha kthim te fitoret”, thotë fillimisht tekniku, i cili nuk harron t’u kujtojë të tijve se Flamurtari nuk është më ai i fazës së parë. “Ua kam bërë të qartë futbollistëve se Flamurtari nuk është më ai i fazës së parë e se fitorja në Vlorë ka muaj që ka ndodhur. Vetëm nëse hyjmë në fushë me bindjen e vlerësimin se po luajnë kundër, bie fjala Egnatias, Lushnjës e tjerave, do të sillte rezultat pozitiv. Besa nuk ka më luksin të mbivlerësojë apo nënvlerësojë askënd. E kemi pësuar aty ku kishim pritshmëri më shumë. Ekipet janë ngjeshur, sa mjafton një hap fals dhe e sheh veten të zbresësh në klasifikim”, përfundoi numri një i pankinës së verdhezinjve.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"