Boksierët shqiptarë të bllokuar në Londër, flet Krenar Zeneli: Ja çfarë na kanë thënë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2020 | 19:28

Boksierët shqiptarë të bllokuar në Londër, flet Krenar Zeneli: Ja çfarë na kanë thënë…

Siç dihet më datat 14-24 mars, në Londër ishte parashikuar të zhvillohej Kampionati Europian i Boksit, event i cili u ndërpre në mes për shkak të emergjencës me Koronavirusin. Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe Kombëtarja Shqiptare e boksit, e cila përbëhej nga Krenar dhe Rexhildo Zeneli. Por përshkallëzimi i situatës me virusin, bëri që të krijohet një kaos i vërtetë, ku për shkak të bllokimit të fluturimeve dy boksirët kuqezinj kanë mbetur të bllokuar në Londër.

unnamed

Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me Krenar Zenelin, i cili rrëfen ditët e vështira në Britani: “Kushtet dhe akomodimi në hotel janë të mira, por problemi është se nuk kemi mundësi për t’u stërvitur dhe situata këtej është problematike për shkak të virusit. Ndonëse nuk na kanë nxjerrë pengesa, qëndrojmë gjatë gjithë kohës brenda për arsye sigurie, por dhe sepse këtu çdo gjë është mbyllur, përveç supermarketeve dhe farmacive”.

5222

Për shkak të vonesës së çeljes së fondit grant, boksierët kanë udhëtuar me paratë e tyre në këtë event, situatë të cilën Krenar Zeneli e komenton kështu: “Kemi ardhur këtu që prej datës 13 dhe deri më datën 25 shpenzimet i ka mbuluar trajneri jonë Gëzim Zeneli (babai i Rexhildos dhe xhaxhai i Krenarit), për arsye se nuk ishte hapur fondi nga ministria, ndërsa me hapjen e fondit do të na kthehen lekët. Ndërsa mbas datës 25 kemi shkuar në hotel tjetër, qëndrimin në të cilin na e kanë mundësuar Komiteti Olimpik Shqiptar në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ndërsa dua të falenderoj edhe stafin e Kosovës, i cili na ka qëndruar pranë”.

KOKSH-logo-blu-sfodn

Ndërkohë i pyetur për rikthimin në atdhe, Zeneli thotë: “Nuk dihet ende, por sipas informacioneve dhe bisedimeve që kemi pasur me ambasadorin shqiptar këtu në Londër, na kanë thënë që mund të kthehemi të dielën ose të hënën, pasi mund të vendoset në dispozicion një avion privat, në mënyrë që të kthehen të gjithë shqiptarët e mbetur në Britani”, përfundoi 23-vjeçari vlonjat.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"