Boksi shqiptar në zi, ndahet nga jeta profesori Ramiz Reka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 18:42

Boksi shqiptar në zi, ndahet nga jeta profesori Ramiz Reka

Boksi shqiptar në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, profesori Ramiz Reka. Ai dha një kontribut tepër të çmuar në këtë sport, duke arritur mjaft suksese.

auto_ramiz_reka1605794164

I lindur më 17 janar 1938 në qytetin e Durrësit., professor Reka kreu studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” (sot Universiteti i Sporteve të Tiranës – UST).

Nga viti 1948-1953 u inkuadrua në sportin e boksit me grupmoshën e pionierëve. Nga viti 1954 e deri në vitin 1956 është shpallur tri herë kampion kombëtar për “Junior”.

Nga viti 1957 e deri në vitin 1963 ka përfaqësuar ekipin e boksit të Partizanit. Është shpallur pesë herë kampion i Spartakiadës së Përgjithshme të Ushtrisë dhe kampion kombëtar.

Në vitet 1958-1963 ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të boksit. E filloi karrierën e tij në vitin 1948, në Durrës, në sallën e teatrit “Teuta”, sot teatri “Aleksandër Moisiu”.

Ai u largua nga Durrësi në vitin 1957 për të kontribuar në pasurimin e titujve kampionë si me Partizanin, ashtu edhe në paraqitjet dinjitoze me ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Ramiz Reka u shpall kampion me Partizanin në vitin 1961 dhe tri herë radhazi u shpall boksieri më i mirë i Kupës së Republikës (sot Kupa e Shqipërisë) për vitet 1961, 1962 dhe 1963.

Në vitin 1963 boksi u ndalua në Shqipërinë komuniste. Emri i Ramiz Rekës u bë më i dëgjuar, më popullor dhe më i vlerësuar, pasi ai dha një kontribut të madh si trajner, gjyqtar dhe pedagog.

Në vitin 1991, Reka u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Boksit, ku hodhi themelet për anëtarësimin e Shqipërisë në AIBA (Shoqata Ndërkombëtare e Boksit Amator).

Kontributi i tij ka qenë i madh edhe si mësues i edukimit fizik, por më shumë i ndjeshëm si pedagog në ish-Institutin e Fizkulturës “Vojo Kushi” si specialist i gjimnastikës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"