Boks, uragani Ferit Keta shkatërron serbin që në raundin e tretë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2019 | 11:18

Boks, uragani Ferit Keta shkatërron serbin që në raundin e tretë

Ferit Keta vazhdon të shkëlqejë në boksin profesionist, duke regjistruar vetëm fitore. Në mesnatën e së shtunës duke u gdhirë e diela, 30-vjeçari shqiptar korri suksesin e tij të 13-të në karrierë duke shkatërruar serbin Slavoljub Mitiç, në duelin e zhvilluar në Maltë, për peshat “kruizer”.

Ferit-Keta

Një kundërshtar që përveç boksit, njihet edhe si një luftëtar i dueleve në kafaz. Megjithatë, ndeshja u dominua në çdo aspekt nga boksieri bulqizak, i cili ishte dukshëm superior ndaj kundërshtarit serb. Ketës i mjaftuan vetëm tri raunde për ta shembur në tapet rivalin, pasi Mitiç e kishte të pamundur që t’u bënte ballë goditjeve të shpejta e të fuqishme të boksierit shqiptar.

Ky ishte triumfi i nëntë me KO për boksierin kuqezi në karrierë, ndërkohë që serbi Matiç pësoi disfatën e tij të dhjetë, ndërsa numëron edhe 10 fitore. Pas fitores shpërtheu festa në ring ku binin në sy flamujt e shumtë kuqezinj që kishin rrethuar boksierin shqiptar.

Ferit Keta, i cili stërvitet nga vëllai i tij Ismaili, hapat e parë në karrierë si profesionist i ka hedhur rreth 3 vite më parë, ku më 19 shkurt të 2016-ës ka marrë edhe fitoren e tij të parë, në duelin e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, aty ku mposhti serbin Haris Calakoviç, për të vijuar më pas me vetëm triumfe në të gjitha sfidat e zhvilluara.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"