BOKS/ Superdueli i peshave të rënda! Xhoshua-Usik, sot dita e renvanshit në Arabi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2022 | 11:23

BOKS/ Superdueli i peshave të rënda! Xhoshua-Usik, sot dita e renvanshit në Arabi

Dita e madhe erdhi. Antoni Xhoshua dhe Oleksandër Usik do të ngjiten sot në ring për duelin e revanshit, ku në lojë do të jenë titujt botërorë të peshave të rënda IBF, WBA, WBO që aktualisht mbahen nga ukrainasi, por gjithashtu edhe titulli “The Ring” i mbetur vakant pas tërheqjes së Tajson Furit.

XHOSHUA OSIKDje gjatë ceremonisë së peshimit

Boksierët dje u vendosën përballë njëritjetrit për herë të fundit gjatë peshimit, para se të matin forcat në ring.

Pavarësisht se mendohej se Usik do të shtonte kg për këtë duel, të dy boksierët do të kenë diferenca të ngjashme me ndeshjen e shtatorit të kaluar.

Kështu, të dy u ngjitën dje në peshore në Xhedah të Arabisë Saudite, teksa Xhoshua peshonte 110 kg, pra 4 kg më shumë se në duelin e parë, ndërsa Usik 100 kg, 3 kg më tepër se në sfidën e parë.

Pas peshimit boksierët patën një konfrontim sy më sy me njëritjetrin dhe pavarësisht thirrjeve të shumta nga promotori Edi Hërn për t’u kthyer dhe për t’u përballur me turmën, të dy burrat vazhduan të shikonin njëri-tjetrin.

Për Xhoshuan, ky është një shans i madh për t’u bërë tri herë kampion bote në peshat e rënda dhe potencialisht për të siguruar një duel shumë fitimprurës kundër kampionit botëror të peshave të rënda WBC, Tajson Furi, edhe pse ky i fundit aktualisht ka njoftuar tërheqjen.

Por britaniku nuk do ta ketë aspak të lehtë, përkundrazi, është Usik ai që shikohet si favorit, pas atij triumfi dominues një vit më parë në stadiumin e Totenhemit. Usik regjistron 19 fitore në po kaq ndeshje në boksin profesionist, 13 nga të cilat me KO.

Ndërsa Xhoshua numëron 24 fitore (22 me KO) dhe 2 humbje. Për sa i përket orarit për duelin e sotëm në Xhedah, ndeshja pritet të nisë rreth orës 23:00.

BASTET – Oleksandër Usik konsiderohet si favorit për triumfin edhe nga kompanitë e basteve. Kështu suksesi i 35-vjeçarit ukrainas llogaritet me koeficient 1.5, kundrejt koeficientit 2.6 për fitoren e Xhoshuas.

Ndërkohë, një fitore me KO nga Usik kuotohet 2.5, ndërsa e britanikut 3.5. Për sa i përket suksesit me pikë, fitorja e Usik llogaritet 3.1, ndërsa e Xhoshuas 7.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"