BOKS/ Sfidon kanadezin e pathyeshëm, Vrenozi gati për duelin e madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2022 | 12:54

BOKS/ Sfidon kanadezin e pathyeshëm, Vrenozi gati për duelin e madh

Pas një karriere si kampion i padiskutueshëm me tituj të njëpasnjëshëm kombëtarë në Shqipëri, Xhuljo Vrenozi vijon të shkëlqejë prej vitesh edhe në boksin profesionist. Me 18 fitore dhe 5 humbje, ai është një prej boksierëve më të suksesshëm shqiptarë.

Collage Maker-28-Dec-2022-12.47-PM

30- vjeçari fierak po bëhet gati për një tjetër duel të rëndësishëm, teksa më 25 shkurt të vitit të ardhshëm do të përballet me kanadezin Josh Wagner, sfidë për peshat “Welter” që do të zhvillohet në “CAA Centre” të Torontos. Ndryshe nga sa jemi mësuar me boksierë të tjerë kuqezi, që shpesh herë i shohim me kundërshtarë modestë, Vrenozi do të masë forcat me një rival elitarë si Wagner. Ky fundit është i pathyeshëm në ring, teksa regjistron 14 fitore, 8 nga të cilat me KO.

Kur ndajnë më pak se dy muaj nga ndeshja, Vrenozi vijon stërvitjet intensive, ndërsa në një prononcim për “Panorama Sport” e komenton kështu duelin me kanadezin Wagner: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme për mua, kundër një boksieri me të vërtetë shumë të fortë, i cili është i pamposhtur me 14 fitore dhe 0 humbje deri tani, ndërsa aktualisht është i 50-ti në renditjen botërore”, shprehet fillimisht Vrenozi, i cili më tej jep detaje të tjera për këtë përballje: “Ndeshje do të zhvillohet në peshën 66.7 kg dhe më favorizon, sepse kjo është kategoria ime ideale. Stërvitjet vazhdojnë shumë intensive, aktualisht sapo kam përfunduar fazën përgatitore dhe në fillim të janarit do të filloj me fazën taktike të stërvitjeve, të cilën një pjesë të stërvitjeve do ta bëj në Shqipëri dhe muajin e fundit në Angli. Në rast fitoreje unë do të kaloj automatikisht në vendin e 50-të në klasifikimin botëror, duke ia zënë vendin menjëherë kundërshtarit”, shprehet Xhuljo Vrenozi, i cili e mbyll prononcimin e tij me një urim dhe apel për shqiptarët: “Në radhë të parë i uroj të gjithë shqiptarët gëzuar festat e fundvitit dhe në muajin shkurt e pres të gjithë komunitetin shqiptar të Kanadasë të mos i mungojnë këtij eventi. Do të jetë një atmosferë dhe tifozëri shumë e madhe nga të dyja palët dhe do ta fitojmë së bashku këtë ndeshje”, përfundon boksieri kuqezi.

Dueli Vrenozi-Wagner do të jetë me 10 raunde nga 3 minuta.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"