BOKS / Krenar Zeneli: Dënoj incidentet në kampionat, fitova dhe tani dua medalje në Botëror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 21:26

BOKS / Krenar Zeneli: Dënoj incidentet në kampionat, fitova dhe tani dua medalje në Botëror

Krenar Zeneli është shpallur boksieri më i mirë i Kampionatit Kombëtar në një aktivitet që pati shumë polemika. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Zeneli thotë se e priste këtë çmim pasi kishte punuar shumë për të arritur deri këtu. Boksieri i Flamurtarit i dënon skenat e dhunës që shoqëruan kampionatin, teksa thotë se sporti është kulturë, por thekson se në ndeshje të forta këto situata nuk janë të panjohura. Boksieri vlonjat pret tashmë të përfaqësohet denjësisht në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Beograd.

krenar zeneli

Arritët një tjetër rezultat të rëndësishëm duke u shpallur boksieri më i mirë i kampionatit. E prisnit këtë çmim?
Po patjetër qe e prisja këtë çmim sepse ky ka qenë synimi im që kur u nisa në këtë aktivitet. Isha përgatitur maksimalisht në stërvitje me trajnerin tim duke u stërvitur me 2-3 seanca në ditë.

Cilat do të jenë garat e radhës dhe çfarë do të synoni?
Aktiviteti i radhës është Kampionati Botëror që zhvillohet nga data 25 tetor deri në datën 10 nëntor në Beograd në Serbi dhe patjetër që synimi është të sjellim medalje.

Kampionati kombëtar u shoqërua me disa skena dhune që nuk kanë lidhje me sportin. Cili është komenti juaj për sherrin që ndodhi në pallatin e sportit?
Siç dihet, në ndeshje decizive dhe të forta këto skena janë të përsëritura në vendin tonë, por ne nuk kishim lidhje me këtë situatë sepse ishte midis dy ekipeve të tjera dhe patjetër që këto skena nuk i kanë hije boksit sepse sporti pasqyron kulturë dhe edukatë.

A jeni ndjerë ndonjëherë nën presion apo i rrezikuar gjatë garave kombëtare?
Jo. Unë personalisht nuk jam ndjerë ndonjëherë në presion sepse nuk më ka ndodhur të kem probleme të tilla, por ashtu siç e përmenda më lart këto skena nuk duhet të ekzistojnë asnjëherë me askënd.

Kujt ia dedikoni sukseset në karrierë?
Patjetër që sukseset e mia janë rezultat i një pune të përbashkët me trajnerin tim, me xhaxhallarët të cilët na ndjekin gjithmonë dhe na motivojnë për të vazhduar më para dhe pa dyshim sukseset janë meritë dhe e atyre.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"