BOKS/ Furi-Usik, datë e re për superduelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 20:31

BOKS/ Furi-Usik, datë e re për superduelin

Dueli i madh i boksit ndërmjet Tajson Furit dhe Oleksandër Usik, përballje që do të unifikonte të gjithë tituj kampionë të botës në peshat e rënda, është në negociata të avancuara për t’u zhvilluar në Arabinë Saudite.

Collage Maker-03-Feb-2023-08.30-PM

Fillimisht plani ishte 4 marsi, por për këtë datë marrëveshja nuk u finalizua në kohë. Si rezultat, objektivi i ri është 29 prilli. Këtë e ka konfirmuar së fundmi bashkëpromovuesi i Furit në Mbretërinë e Bashkuar, Frank Uorren. Nëse dueli do të zhvillohet në Arabinë Saudite, siç shpresohet nga promovuesit, të dy boksierët duhet të bien dakord për kushtet me organizatorët në vendin pritës. Usik tashmë ka rënë dakord për marrëveshjen e tij me sauditët, ndërsa Furi mbetet në negociata.

Nëse “Mbreti Gypsy” nuk do të arrijë një marrëveshje për t’u ndeshur në Arabinë Saudite, plani i tij është që atë ta zhvillojë në stadiumin “Wembly” të Londrës, është shprehur Uorren. “Dueli do të zhvillohet 100% të shtunën e fundit në prill. Vendi mendoj se do të përcaktohet maksimumi brenda gjashtë apo shtatë ditëve të ardhshme. Nëse ne nuk mund të bëjmë atë që na kërkohet të bëjmë me Tajson dhe Usik në Arabinë Saudite, atëherë sfida do të bëhet në Mbretërinë e Bashkuar. Për sa u përket negociatave nuk jemi larg marrëveshjes”, deklaroi bashkëpromovuesi i Furit, Frank Uorren.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"