“Bojkoti na stresoi”, Ilir Gjyla: E dua ligjin për sportin, por dua edhe kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2020 | 13:50

“Bojkoti na stresoi”, Ilir Gjyla: E dua ligjin për sportin, por dua edhe kampionatin

Edhe kjo javë nisi pa një datë zyrtare për nisjen e kampionatit dhe drejtuesit e Lushnjës vazhdojnë të jenë të shqetësuar për këtë fakt. Trajneri Ilir Gjyla, në një prononcim enkas për “Panorama Sport” thekson se me këtë shtyrje të gjatë kampionati do jetë me probleme. “Ajo çfarë duhet të them nga ana profesionale është se po gjendemi në vështirësi.

gjyla

Të gjithë specialistët, profesionistët po thonë që e kemi të vështirë. Me këtë zgjatje që po bëhet do ta kemi të vështirë ta përballojmë kampionatin, do kemi shumë strapo, ndeshjet do të jenë më të ngarkuara”, është shprehur fillimisht tekniku i lushnjarëve.

DILEMAT PËR EKIPIN – Më tej ai futet edhe në detaje. “Nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë, jam pro çdo lëvizjeje në të mirë të sportit. Shikoj që kërkohet ligj për sportin dhe mendoj se duhe një ligj për sportin, por njëkohësisht edhe kampionati duhet bërë. Jam trajner, nuk jam president dhe njeri i financës. Përgjigjem për pjesën time dhe them se do ta kemi problem këtë vonesë.

Po mundohemi t’i ruajmë futbollistët me ndonjë miqësore, por është shumë e vështirë. Them se ky është mendimi i çdo specialisti. Ne bëmë një fazë përgatitore me ngarkesë totale, i mbajtëm dy javë lojtarët për të filluar kampionatin më 19 shtator, erdhëm në Lushnjë dhe i ulëm dy javë. Hajde dhe një javë nuk ka gjë se po e rrisim pak ngarkesën, por tani po bëhen dy muaj. Nuk dimë çfarë të bëjmë dhe jemi në dilemë, pasi thuhet se do të fillojë këtë javë do të fillojë javës tjetër.

Ne rrisim ngarkesë dhe në momentin që na thuhet se do të fillojë kampionati javën tjetër, e ulim. Shikojmë që kampionati prapë nuk fillon dhe mundohemi t’i japim një javë ngarkesë ekipit. Janë problem këto ulje-ngritje, 7 herë nuk mund t’i bëjnë mirë sportistit, aq më tepër që nuk e ruan dot as formën. Nuk është njësoj ndeshja miqësore me atë të kampionatit”, thotë trajneri i verdhejeshilëve.

RAST UNIKAL – “Mendoj që palët duhet të ulen, duhet të lëshojnë dhe mendoj se më shumë duhet të lëshojë qeveria. Nuk mund të vazhdohet kështu, është një rast unikal që nuk po bëhet kampionat, siç është rast unikal që nuk ka ligj për sportin.

Me padurim pres të fillojë kampionati, pasi jam trajner. Stërvitemi për të luajtur dhe duhet të luajmë, por e dua edhe ligjin për sportin që i bën mirë sportit, duke e vënë në shina. Mendoj që ulja e tatimit mbi fitimin do të bënte që presidentët të hidhnin më shumë. Mua më djeg, mua më shumë te terrenet, do të hidhnin te terrenet, te baza materiale, te moshat. Duhet gjendur një rrugë e mesme nga të dyja palët për ta filluar kampionatin, sepse edhe kaq gjatë nuk shkohet”, përfundoi Gjyla.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"