Bojkoti i Ligës/ Zbulohen prapaskenat e takimit, ja çfarë ranë dakord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 22, 2020 | 23:56


Bojkoti i Ligës/ Zbulohen prapaskenat e takimit, ja çfarë ranë dakord

Nuk do të ketë fut boll për të tretën javë në Superiore dhe të dytën në Kategorinë e Parë. Në mbledhjen e djeshme të Ligës Profesioniste të Futbollit me gjithë takimin e zhvilluar me të deleguarin e qeverisë, deputetin Fidel Ylli, klubet e Kategorisë Superiore ishin të vendosura që pa plotësimin e katër kërkesave nga qeveria, topi nuk do të nisë të lëvizë.

Fideli

Mbledhja e djeshme u zhvillua në ambientet e stadiumit “Air Albania, nisi në 11:00 nga Liga dhe presidenti i FSHF-së, Duka. Pas orës 12:00 është bërë bashkëbisedim me deputetin Ylli, i cili u paraqit në mbledhje duke qëndruar deri në orën 13:35.

BOJKOTI

Për të konfirmuar qëndrimin e klubeve për bojkot, para mediave u paraqit presidenti i Ligës, Edvin Libohova. “Ramë dakord për të dërguar të gjitha komentet mbi katër kërkesat që kemi bërë. Do t’i përgatisim dhe t’i nisim. Përshëndesim deklaratën e zotit Ylli që qeveria është e gatshme për të realizuar kërkesat dhe që është në sinkron me ne.

liga

Ne do të vazhdojmë me procedurat, do të shohim në dinamikë situatën si do të shkojë. Situata nuk pritet me thikë sot. Bojkoti? Sigurisht që vazhdon”, u shpreh Libohova në orën 14:50, kur edhe përfundoi mbledhja e Ligës për t’ia lënë radhën një grupi të ngushtë pune nën drejtimin e Libohovës për të përgatitur argumentimin e katër kërkesave drejtuar qeverisë.

PRAPASKENAT

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar disa prej prapaskenave të mënyrës së si është diskutuar, “taktikës” së palëve në këtë mbledhje si dhe të qëndrimeve dhe vendimeve nga ana e sportit, por edhe të qeverisë. Së pari, një nga qëndrimet e deputetit Fidel Ylli mësohet të ketë qenë arsyetimi se pa nisur futbolli, nuk mund të ketë një takim me kryeministrin Rama, qoftë edhe për vetë atmosferën që po prodhon bojkoti. Në këtë pikë, klubet ishin të vendosura që po kërkojnë vetëm premtime të bëra prej zotit Rama në takim përballë tyre në mars 2019.

Së dyti, në këtë moment, ka qenë përballja e “dy strategjive” mes palëve. Nga njëra anë, deputeti ka dashur që edhe të “masë pulsin” e klubeve të pranishme, qoftë edhe atyre që anojnë “majtas” për nga drejtimi politik. Sigurisht, edhe për të matur diskursin politik të vetë Ligës. Mirëpo, në këtë aspekt, klubet e futbollit janë treguar të bashkuara dhe të vendosura, duke mos lënë shteg për politikë: “Pa plotësim kërkesash, nuk nis futbolli. S’ka vend për asnjë politikë, veçse për vullnet të kryeministrit Rama për të plotësuar premtimet e dhëna prej tij”.

Ky qëndrim e ka dërguar diskursin e bisedës në një pikë të tretë. Në këtë moment, Fidel Ylli është munduar që të sqarojë se për secilën nga kërkesat nevojitet kohë e mjaftueshme duke parë edhe oponencën e specialistëve, si në rastin e Ministrisë së Financave. Nga sa mësohet, në këtë pikë, drejtuesit e klubeve me peshë në historinë e futbollit shqiptar, i kanë artikuluar ndër të tjera deputetit se kjo maxhorancë ka fuqi të tillë në parlament që me miratimin e kryeministrit, çdo ligj do të kalonte nëpër komisione, me shpejtësi.

Pa vonesat dhe burokracitë që kanë vuajtur më herët maxhorancat me numra të brishtë në parlament. Vullnet i tillë edhe për të tejkaluar llogaritë precize nga specialistët e ministrive të caktuara. Së fundmi, një pikë ku duket se është gjetur dakordësi, me gjithë debatet, është fakti që kërkesa e deputetit Fidel Ylli për Ligën që të argumentojë dhe deri diku të justifikojë kërkesat e bëra, ka gjetur pranimin e kësaj të fundit që pasditen e djeshme ka dërguar një material sqarues drejtuar qeverisë për të katërta pikat e kërkuara.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com