Bojkoti i kampionatit, trajneri Gega: As 400 pika nuk e rregullojnë shumë situatën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2020 | 20:00

Bojkoti i kampionatit, trajneri Gega: As 400 pika nuk e rregullojnë shumë situatën

Bojkotin e kampionatit duket se do ta vuajë më shumë se kushdo skuadra e Kukësit, që kishte gjetur ritmin prej ndeshjeve në Europë. Vetë trajneri Skënder Gega, në një bisedë pas protestës që u bë në “Elbasan Arena”, ku u rreshtuan lojtarë të Kukësit dhe Partizanit të shtunën, u shpreh i shqetësuar për situatën.

Skender Gega

“Iu bashkuam të gjitha klubeve dhe erdhëm si ekip për të qenë korrekt me atë që u vendos nga Superliga shqiptare. Se çfarë mendoj unë personalisht është tjetër gjë, por jam pjesë e Kukësit dhe klubi vendosi që të vinte për t’u paraqitur. Nuk kemi asnjë lloj informacioni se sa do të zgjasë kjo situatë. Erdhëm për t’u paraqitur dhe do kthehemi të fillojmë stërvitjen, më pas do presim momentin që të zbresim në fushë. Shpresoj sa më shpejt të bëhet e mira për të gjithë.

Edhe ne dëmtohemi, sepse stërvitja është ndryshe, ndeshjet janë ndryshe, ekonomia është një diçka tjetër. Unë jam trajner dhe do kisha dëshirë të fillonim sa më shpejt, por nuk është në dorën tonë. Janë të tjerë që merren me kërkesat, por personalisht mendoj që jo katër pika, po as 400 nuk e rregullojnë shumë.

Duhet një bashkëpunim, sinqeritet dhe dashamirësia e të gjitha palëve për t’u bërë më e mira për të gjithë. Futbolli nuk është i ndarë nga ky shtet, as sportet e tjera, të cilat janë pjesë e këtij shteti. Shteti ka pjesën e vet, ne si futboll duhet të bëjmë më të mirën. Shpresoj të ulen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për të mirën e tyre. Të gjithë janë familjarë dhe jetojnë me këtë profesion, ashtu si edhe unë”, është shprehur Gega të shtunën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"