Bogdani: Sadiku do më thyejë rekordin, më pëlqen loja sulmuese e Panuçit
Me 18 gola të realizuar në Kombëtare, Erjon Bogdani është pika e vetme e referimit për cilindo bomber që do të mbajë veshur fanellën kuqezi ndër vite. Armando Sadiku duket se është kandidati i radhës, i cili mund ta zbresë “Bogun” nga froni, por për vetë ish-bomberin kuqezi kjo gjë do të jetë kënaqësi për të gjithë shqiptarët.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bogdani “jep bekimin” për Sadikun që të mund të thyejë rekordin, pse jo, duke e çuar edhe një herë Shqipërinë në Europian. Trajneri aktual i Kombëtares U-19 komenton paraqitjen dhe ndryshimet e Shqipërisë me Panuçin, defektet që ka vënë re, si dhe zgjedhjet e trajnerit të ri me afrimet e lojtarëve. Ish-sulmuesi i Serisë A, i cili jeton prej vitesh në Itali, përgjigjet edhe rreth dështimit të Kombëtares “axurre”, që nuk do të marrë pjesë në Botëror.
Fitore në transfertë e Kombëtares ndaj Turqisë, edhe pse me dhjetë veta për gati 50 minuta. Si ju duk Shqipëria?
Skuadra më pëlqeu dhe luajti mirë. Faktikisht, Panuçi i ka dhënë një mentalitet tjetër ekipit, sepse shohim që tashmë kemi një përfaqësuese më shumë sulmuese dhe krijojmë raste. Nuk ishte ndeshje e thjeshtë, pasi ekipi luajti me dhjetë veta për gati 50 minuta. Edhe si rezultat, edhe si ndeshje më pëlqeu, pasi t’i shënosh tre gola Turqisë në shtëpinë e saj nuk është e lehtë.
Loja me tre sulmues thuajse të deklaruar, a na bën më të brishtë në mbrojtje? Si ishte raporti i reparteve sipas jush?
Më të brishtë, jo. Megjithatë, janë disa gjëra që duhet të rregullohen me grumbullime, siç bëri Panuçi para këtij takimi dhe me ndeshje miqësore. Për këtë gjë, duhet të gjendet ekuilibri i duhur, sepse deri tani ekipi po luan mirë në sulm, krijon raste dhe këtë gjë e tregoi edhe ndaj Italisë. Tashmë Kombëtarja është më ofensive dhe krijon lojë. Gjithsesi, këtë ekuilibër duhet ta përmirësojë Panuçi me më shumë ndeshje miqësore dhe mua personalisht, kjo tip loje, të cilën e pashë edhe ndaj Italisë, por edhe në miqësoren e fundit, më pëlqen shumë.
Hajdareviç, Qaka, Ahmedi, Balliu & Co janë afruar të rinj në ekip, si po bëhet ndryshimi i “gardës së vjetër” të De Biazit?
Për mendimin tim, po bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi edhe emrat që ju i përmendët dhe që janë afruar rishtazi po aktivizohen te skuadrat e tyre dhe po paraqiten mirë në klube. Për këtë ka pikërisht nevojë edhe Kombëtarja shqiptare, pra për futbollistë që të kenë një moshë relativisht të re, por edhe që të jenë titullarë dhe të luajnë sa më mirë me skuadrat e tyre. Me këta lojtarë, shtohet konkurrenca në këtë edicion për t’u kualifikuar në Europian. Të rinjtë bëjnë që edhe ata që “e kanë siguruar formacionin”, të japin edhe më shumë nga vetja si në stërvitje, si në ndeshje.
Keni qenë prej vitesh në Kombëtare dhe aktualisht jeni në rolin e trajnerit të një kombëtareje. Si e vlerësoni mosgrumbullimin e kapitenit të përfaqësueses?
Nuk e di si ka qenë situata dhe ndoshta kanë biseduar më përpara mes tyre trajneri dhe kapiteni Agolli. Ndaj, kur nuk i di gjërat, është e vështirë që të flasësh konkretisht. Ansi, pavarësisht moshës, ka treguar se po luan shumë mirë me skuadrën e tij edhe në Champions. Kjo ishte një ndeshje miqësore për të parë të rinjtë dhe skuadrën para se të nisin ndeshjet zyrtare.
Pastaj, në ndeshje miqësore provohet dhe nuk ka pse të bëjmë procese se cili është grumbulluar dhe cili jo. Këto takime vlejnë shumë për trajnerin, pasi ai shikon sa më shumë lojtarë dhe ndonjë i rëndësishëm i ekipit mund të mungojë në ndeshje zyrtare për arsye të ndryshme, ndaj trajneri e ka më se legjitime që të testojë të rinj në ndeshje miqësore. Në të tilla ndeshje, ai krijon idenë për të gjithë lojtarët.
Sadiku ka arritur në kuotën e 11 golave me Kombëtaren, a mendoni se do ta thyejë rekordin tuaj?
Rekordet janë bërë për t’u thyer. Unë faktikisht kam raporte shumë të mirë si me Sadikun, Cikalleshin edhe me Balajn, sepse kam luajtur, por edhe i kam stërvitur. Më vjen mirë që Sadiku është duke bërë gola. Unë ia kam thënë edhe atij personalisht që, nëse ai shënon shumë, ne do ta shohim Shqipërinë lart e më lart. Pse të mos e shohim edhe në një Europian tjetër. Pjesëmarrja në “Francë 2016” ishte diç- ka shumë, shumë e bukur për të gjithë shqiptarët. Unë shpresoj që ai të bëjë sa më shumë gola, për të parë Shqipërinë sa më mirë.
Cilat janë planet më të afërta tuajat me Kombëtaren U-19?
Në dhjetor do të bëhen seleksionimet në Itali dhe Greqi e më pas do të ndërtojmë programin për vitin tjetër kalendarik.
Italia jashtë Botërorit. Si ish-futbollist prej shumë vitesh në Serinë A, si e komentoni këtë gjë?
Nuk kam fjalë ta komentoj… Ka 60 vjet që nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Sot (dje), Italia është në zi kombëtare…
OLSI TUJANI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"