Bogdani: Po flas me lojtarët që përfaqësuan Italinë, por edhe ata me tanët (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2017 | 16:08

Bogdani: Po flas me lojtarët që përfaqësuan Italinë, por edhe ata me tanët (Video)

Erjon Bogdani ka besim se përfaqësuesja U-19 mund të bëjë hapa të rëndësishëm para në të ardhmen. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri konfirmoi se pret të krijojë një bazë me rreth 55 lojtarë nga i cili do të dalë grupi i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në eliminatoret e Europianit të kësaj grupmoshe.

bogdani

Ai konfirmoi se është në bisedime me lojtarë shqiptarë që kanë luajtur me moshat e Italisë më parë, por gjithashtu se edhe Italia mund të jetë në kontakt me disa elementë kuqezi.

shqiperia u19 roma caput mundi

Për përbërjen e grumbullimit

“Është grumbullimi i dytë pas turneut që kemi zhvilluar në Romë. Është kryesisht me lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar. Kemi 4 lojtarë që vijnë nga jashtë. Dhe është një mënyrë për të parë sa më shumë lojtarë dhe pastaj nga shtatori do të tregoj listën kryesore me të cilën do të zhvillojmë kualifikueset e tetorit”.

Për grupin kryesor të lojtarëve që ka krijuar

“Turneu i parë në Romë ishte prej 18 lojtarësh, sot janë 21, që bëjnë 39 lojtarë. Janë edhe 13-14 për t’u parë, pastaj nga e gjithë lista me rreth 55 lojtarë do të zgjedh ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në tetor. Megjithatë, mund të ketë ndonjë surprizë pasi flasim gjithmonë për moshë ku duhet të kemi kujdes, pasi njëri mund të paraqitet mirë dhe ka derën e hapur në ekipin e parë”.

Për cilësinë e lojtarëve të grumbulluar

“Në ekipet e para është e vështirë të luajnë, por në listën këtu është mbrojtësi Gjura që luan me Alesandria, një futbollist me perspektivë, bën stërvitje me ekipin e parë. Alesandria është ekip kryesor për tu ngjitur në Serinë B, do ta shikojmë, ta kemi parasysh dhe të vendosim”.

Për mbikëqyrjen e kampionatit shqiptar

“Kampionati nuk diskutohet që ka shumë gjëra për tu përmirësuar, ka lojtarë të mirë, por në këtë moshë e kanë vetë në dorë, pasi duhet të punojnë sa më shumë dhe të japin maksimumin në ndeshje. Kam parë në këto muaj që ka lojtarë por luajnë me faza gjatë ndeshjes. Duhet që t’i heqin këto faza. Kur luan me kombëtaren luan me ekipe të forta dhe duhet ritëm e të vraposh më shumë për të arritur rezultatin”.

Për shpresat e një kualifikimi të mundshëm

“Deri tani kemi shumë shpresa sepse ka shumë lojtarë të mirë që deri tani po paraqiten mirë me ekipet e tyre. Kam parë shumë lojtarë që janë në Itali, nuk po flas vetëm për ata të datëlindjes 1999, por edhe ata 2000, që janë në gjendje të luajnë që këtë vit.

Ka shumë lojtarë që jo vetëm janë kryesorë në skuadrat ku luajnë me paratërinjtë apo të rinjtë, por janë edhe kapitenë të skuadrave më të rëndësishme në Itali. Janë lojtarë që e kanë vetë në dorë të ardhmen e tyre”.

Deri ku mund të arrijnë këta futbollistë

“Unë faktikisht kam që nga dhjetori që kam marrë detyrën, shikoj në këto muaj që ka lojtarë të mirë, që paraqiten mirë në skuadrat e tyre. Por e thashë që flasim për një moshë delikate, i vëzhgojmë përherë dhe duhet të kemi kujdes. Kemi lojtarë që mund të ecin përpara dhe të luajnë me U-21 dhe me ekipin kombëtar”.

Për interesimin e përfaqësueseve të tjera për lojtarët shqiptarë

“Është e vërtetë që mund t’i kenë kontaktuar, është moshë delikate. Te kombëtarja ime do të vijnë ata lojtarë që e ndjejnë veten 100% që mund të luajnë me ekipin shqiptar, kam biseduar edhe me shumë shqiptarë që kanë luajtur me kombëtaret e moshave italiane dhe e kanë vetë në dorë. Pa diskutim, nëse ata do të vendosin të vijnë këtu, do provohen siç do provohet pjesa tjetër e skuadrës dhe nëse e meritojnë do hyjnë”.

Për pretendimet e futbollistëve që të luajnë menjëherë me ekipin U-21 apo A

“Unë nuk kam pasur raste, por kur të kem raste, do flas me lojtarët dhe të bëj zgjedhjen. Por dua që lojtarët që vijnë në ekipin kombëtar, duhet që çdo individ të luajë për skuadrën, të bëjë maksimumin dhe nëse e meriton i ka dyert e hapura për U-21 dhe pse jo edhe për ekipin kombëtar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"