Bogdani: Për ekipin tim nuk ka ndeshje miqësore, ja qëllimi i Kombëtares U-19

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2018 | 10:58

Bogdani: Për ekipin tim nuk ka ndeshje miqësore, ja qëllimi i Kombëtares U-19

Trajneri i Kombëtares U-19, Erjon Bogdani, doli sot në një konferencë për shtyp ku foli për takimin miqësor që do të zhvillohet ditën e nesërme ndaj Kazakistanit në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Bogdani deklaron se lojtarët janë gati për tu përballur me sfida të rëndësishme, si dhe tregon se qëllimi i Kombëtares U-19 është të furnizojë Shpresat me lojtarë cilësor.

Bogu

Jam shumë i kënaqur, sepse skuadra po stërvitet mirë. Kjo miqësore na shërben që të krijojmë një grup sa më të fortë dhe solid në të ardhmen. Në këto ndeshje do shikoj edhe grupin dhe lojtarët e rinj që po spikasin në ekipet e tyre. Këto ndeshje na shërbejnë që të arrijmë formën më të mirë për kualifikueset. Lojtarët tashmë janë më të pjekur dhe janë gati për të përballuar sfida të rëndësishme. Këtë vit kemi një rritje të ekipit, por do kemi ndeshje të vështira në grupe Gjysma e këtij grupi ka qenë edhe vjet dhe them se kanë eksperiencë.

Skuadra është gati. Në ndeshjen me Norvegjinë, ata ishin të gjithë të datëlindjes ’99, ndërkohë që ne ishim të 2001-shit dhe kjo moshë bën diferencën. Edhe pse luajtëm disa ndeshje të vështira, jemi pretendentë për të arritur kualifikimin.

Stadiumin e Lushnjes ka caktuar federata dhe është hera e parë që luajmë këtu. Për ne janë njëlloj të gjithë stadiumet. Ne do kërkojmë të bëjmë lojën tonë. Edhe pse është një ndeshje miqësore, një rezultat i mirë do të rriste optimizmin. Ne jemi Shqipëria dhe për ekipin tim nuk ka ndeshje miqësore.

Nuk dua të them emra në grup se cili është më i mirë. Qëllimi im është të furnizoj me lojtarë ekipin U-21 dhe, siç iku këtë vit Armand Rada, mund ta bëjnë edhe të tjerë”, deklaroi trajneri Erjon Bogdani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"