Bogdani: Partizani e ka problemin tek sulmuesit, një ditë do jem trajner i të kuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 19:49

Bogdani: Partizani e ka problemin tek sulmuesit, një ditë do jem trajner i të kuqve

Erjon Bogdani, ish-sulmuesi i Partizanit dhe Kombëtares, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, shprehu keqardhjen për situatën aktuale të “demave”, si dhe preku faktorët ku çalon ekipi dhe çfarë duhet përmirësuar në janar.

Sipas tij, ndryshimet e shumta e dëmtojnë një ekip futbolli dhe këtë gjë po e vuan edhe Partizani. Ai shikon si model Skënderbeun, që ruan grupin dhe bën merkato të studiuar. Sipas tij, të kuqtë vuajnë shumë në sulm dhe u duhet që në janar të gjejnë një ose dy sulmues cilësorë. Bogdani nuk e përjashtoi mundësinë që një ditë të jetë trajner i Partizanit.

bogdani

Erjon, si ish-sulmues i Partizanit, si e vlerësoni situatën që po kalon ky klub në këtë sezon futbollistik?

Më vjen keq për situatën që po kalon Partizani sepse kam luajtur në atë klub, jam rritur si futbollist te Partizani. Megjithatë, nuk duhet humbur shpresa, pasi janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur në këtë sezon. Unë shpresoj që ato të paktën do ta sigurojnë një biletë për në Kupat e Europës në përfundim të edicionit.

Në gjykimin tuaj, çfarë duhet bërë për të zbutur krizën, të paktën deri në janar, kur hapet edhe merkatoja?

Them se gjëja e parë që duhet bërë, është analizimi me kujdes i këtyre muajve që kanë kaluar. Për mendimin tim, gjëja që i ka munguar më shumë Partizanit janë sulmuesit. Ndaj me hapjen e merkatos nuk duhet të gabojnë në afrimin e një ose dy sulmuesve të mirë.

Partizani Starova

Duke iu referuar krizës aktuale, sipas Bogdanit, me aq sa e ka ndjekur Partizanin e këtij sezoni, nga erdhi kjo situate te të kuqtë?

Mendoj se kjo situata ka buruar nga ndryshimet e shumta që ka kryer klubi. Kur ndryshon, duhet kohë për të marrë rezultatin. Shikoni Skënderbeun. Ka gati 10 vite që ruan boshtin dhe janë shumë të kujdesshëm në merkato. Ndërsa ekipet e tjera shqiptare çdo vit ndryshojnë, gati të gjithë skuadrën.

A ndikoi mosnjohja e realitetit të futbollit shqiptar nga italianët, duke nisur nga drejtuesit, trajneri dhe lojtarët?

Patjetër që ndikoi ky faktor, megjithatë nuk jam shumë për ndryshime. E thash edhe më parë, çdo ndryshim do kohën e vet të pritjes. Asnjë drejtor apo trajner nuk e ka shkopin magjik për bërë ndryshimin e menjëhershëm. Në Shqipëri gjerat janë mësuar t’i kenë sa më shpejt, por në futboll duhet kohë dhe besim.

Sipas Bogdanit, çfarë duhet të bëjë Starova deri në janar me lojtarët që ka në dispozicion?

Ai e njeh mirë skuadrën e Partizanit. Duhet të punojë nga ana e përqendrimit dhe besimit sepse me duket sikur lojtarët kanë humbur besimin në vetvete.

A e mendon Erjon Bogdani ndonjëherë veten në drejtim të Partizanit?

Tani jo, por më vonë pse jo. Partizani është një nga klubet më të mira në Shqipëri.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"