Bogdani: Dominuam më të fortët e grupit; Portieri Qirko: Luajta me gjilpëra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2017 | 10:17

Bogdani: Dominuam më të fortët e grupit; Portieri Qirko: Luajta me gjilpëra

Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Kombëtares, Erjon Bogdani, u shpreh i kënaqur për paraqitjen e skuadrës, por jo për rezultatin.

bogdani

“Kam 20 futbollistë nga të cilët nuk dua të veçoj asnjë emër. Me ta kemi nisur një aventurë të bukur duke luajtur mjaft mirë ndaj skuadrës, e cila për mua është më e forta e grupit, duke qenë superiore në të gjitha drejtimet. Jemi ndëshkuar për faj të një gabimi të vetëm në mbrojtje, gjë që tregon mungesën e eksperiencës nga lojtarët e rinj.

Jam i kënaqur nga loja e tyre duke e mbajtur nën presion skuadrën ukrainase. Me këtë lojë që bëmë jam optimist për dy ndeshjet e radhës ku shpresojmë që të marrim edhe pikë. Nuk premtoj kualifikimin, por kjo skuadër është mjaft e mirë dhe lojtarët tanë janë premtues në sfidat e ardhshme”, u shpreh Bogdani.

LOJTARËT

Portieri Pano Qirko ishte një prej më të mirëve në fushë në sfidën e djeshme ku priti edhe një penallti.

qirko

“Ia tregova krahun lojtarit që nuk prisja dot, pasi këmbën time të djathtë e kam pasur me gjilpëra dhe çaloja, por ai për fatin tim gjuajti në krahun ku unë isha mirë dhe arrita ta pres. Kam dhe një dedikim lidhur me këtë penallti për babanë tim, i cili ka bërë gjithçka që unë të arrij deri këtu”, u shprehet fillimisht portieri Pano Qirko, duke shpjeguar mënyrën e pritjes së penalltisë.

Më tej, ai shprehet: “Të veshësh fanellën e Kombëtares dhe të përfaqësosh ngjyrat kuqezi, vërtet është një krenari dhe për këtë dua të falënderoj trajnerin Bogdani që bëri të mundur aktivizimin tim. Gjithashtu, falënderoj edhe trajnerët vlonjatë të skuadrës së Flamurtarit e sidomos Duron që më ka hapur hapësira edhe në aktivizimin tim me ekipin e parë”.

Ndërsa, lojtari Klajdi Burba pas ndeshjes tha: “Mund ta kishim fituar dhe të merrnim fitore, por rastet pa fund dhe fati nuk na ndihmoi. Kishim përballë skuadrën më të fortë të grupit dhe jemi rritur moralisht duke parë që kemi lënë kundërshtarin nën presion. Loja ishte e tillë që ajo skuadër që do gabonte, do ta pësonte. Gabuam ne në mbrojtje dhe pësuam golin”.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"