“Bobi” eksperimenton me formacionin, mbrojtësin e djathtë të Iulianos e provon si sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2017 | 13:40

“Bobi” eksperimenton me formacionin, mbrojtësin e djathtë të Iulianos e provon si sulmues

Partizani i Sulejman Straovës e nis rrugëtimin të enjten nga transferta e Laçit, një fushë që i ka sjellë fat “Bobit” në sezonet e fundit, pasi nuk është mundur në asnjë rast. Kësaj radhe fitorja kërkohet më shumë se kurrë, pasi kërkohet ndryshimi kursit te “demat” që e mbyllën fazën e parë në vendin e gjatë me 11 pikë.

partizani1

Për ta kryer me sukses këtë mision, të kuqtë nuk do ta ketë të lehtë, pasi kanë probleme në fazën sulmuese. Që pas dëmtimit të Xhevahir Sukajt në ndeshjen me Luftëtarin, është thelluar më shumë problematika në sulm dhe trajneri i ri ka testuar disa alternativa gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që faza sulmuese të jetë më efikase.

Starova mbetet në kërkim të një “pyke” për transfertën e Laçit dhe dje ka bërë eksperimentin e radhës, ku Gerhard Progni është vendosur në majë. Edgar Çani është kthyer të përgatitet në terren, por sërish mbetet i diferencuar dhe askush nuk e di se kur mund të jetë i gatshëm.

Xhavharir Sukaj, gjithashtu, po përgatitet normalisht me skuadrën, por ai ende nuk e ka kapur formën optimale, pasi këmba e majtë nuk i përgjigjet plotësisht. Në mungesë të këtyre dy “pykave”, trajneri Starova për ditë me radhë ka provuar Jurgen Bardhin dhe Realdo Filin në majë të sulmit, por me eksperimentin e djeshëm tregon se “Bobi” ka dilema se kujt do t’ia besojë sulmin në Laç.

Zhvendosja e Prognit në majë të sulmit mund të rezultojë edhe thjesht si një manovër e Starovës për të dalë nga situata në momente të ndryshme ose vërtet e ka seriozisht duke i besuar eksperiencës së lojtarit. Pas dëmtimit të Fejzullahut, trajneri Iuliano e zhvendosi Prognin si mbrojtës të djathtë, por me Starovën ai ka përparuar në rolin e tij si mesfushor i djathtë. Por, eksperimenti i djeshëm tregoi se 31-vjeçari do të jetë një lojtar xhol për të kuqtë në këtë sezon, të paktën deri në hapjen e merktos së dimrit.

FORMACIONI

Eksperimenti “Progni” i zbatuar dje në stërvitjen e Partizanit u pasua edhe me disa spostime në rreshtim. Me Prognin sulmues hapet një vend në formacion për La Kameran, ndërsa Jasir Asani zhvendoset në të djathtë të sulmit.

partizani formacioni

Gjithsesi, këto manovra stërvitore tregojnë se stafi teknik ende nuk e ka përcaktuar formacionin për transfertën e Laçit, ku shpresohet që rrugëtimi i Starovës të nisë me këmbën e mbarë. “Bobi” pret një kampionat të ri nga ekipi, ku synon maksimumin në tri fazat e mbetura.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"