Boateng dhe Khedira, “luftë” përpara sfidës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2014 | 19:58

Boateng dhe Khedira, “luftë” përpara sfidës

Boateng dhe KhediraËshtë një provokator dhe ndeshjet e tij i luan edhe jashtë fushe. Pasi e quajti skuadrën e Lëvit një skuadër pa personalitete, Kevin-Princ Boateng “kërcënon” sërish në prag të ndeshjes së Ganës së tij me Gjermaninë të shtunën në orën 21:00, në “Estadio Castelao”. Në një intervistë për “Sport Bild”, mesfushori i Shalkes u premtoi luftë deri në vdekje gjermanëve në Fortaleca. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Khedirës, ish-shokut të skuadrës te moshat e Gjermanisë që mbron vendimin e trajnerëve për ta përjashtuar ganezin nga moshat e “pancerave” për mungesën e disiplinës.

Ghana“Do të luftojmë deri në vdekje kundër Gjermanisë”
Të shtunën do të përplaseni me Gjermaninë në Fortaleca. Pas humbjes me SHBA-të, një disfatë me europianët mund t’ju eliminonte. Çfarë prisni nga ndeshja?
Pres një duel si ata të gladiatorëve të Romës. Me njerëz rreth arenës (fushës) që duan të shohin dy skuadra që luftojnë. Skuadra që do e dojë më shumë fitoren do t’ia dalë. Prandaj duhet të luftojmë deri në vdekje kundër Gjermanisë.
Por a do mund të luftoni me kaq zemër kundër vëllait tuaj? Besoni se më në fund do ta fitoni duelin kundër Zheromit?
Në vitin 2010 unë kam humbur me Gjermaninë, ashtu siç kam humbur edhe me Shalken kundër Bajernit. Por tani ka ardhur koha që një herë ta mund edhe unë vëllain tim, edhe pse ai tregoi një formë të shkëlqyer kundër Portugalisë.
Komunikoni këto ditë Botërori me Zheromin?
Nuk kemi asnjë kontakt me njëri-tjetrin, sepse jemi të përqendruar vetëm te Botërori. Unë do të jem në çdo rast në fushë. Nuk e di nëse ai do të jetë. Por gjatë ndeshjes nuk do ketë asnjë konsideratë mes nesh.
E keni kritikuar skuadrën gjermane se i mungojnë personalitetet?
Kam thënë të vërtetën. E kanë treguar në 2010-n. Nëse u mungojnë idetë, atëherë nuk është asnjë lojtar lider për të zgjidhur ndeshjen.
Mos ndoshta në këtë mënyrë po i motivoni gjermanët?
Nuk mendoj se ndokujt që luan në Kupën e Botës i duhet një nxitje apo motivim ekstra. Por, nëse është kështu, atëherë Jogi është i lirë t’i vendosë deklaratat e mia në mur.
Mendoni se dëmtimi që i shkaktuat Mikael Balakut në finalen e “FA Cup” Çelsi-Portsmuth përpara Kupës së Botës ishte pika e kthesës në karrierën tuaj?
Sigurisht. Në atë kohë kuptova se nga kritikat e shumta publike që m’u bënë, unë duhet thjesht të përqendrohesha te puna ime. Dhe e kalova atë situatë. Prej asaj ndeshjeje unë s’e kam parë më. Ti nuk duhet të jesh miku i dikujt për të qenë objektiv: Balak ishte një prej mesfushorëve më të mirë në botë. Unë kam respekt të madh për karrierën e tij. Por që unë kam gisht në mbylljen e karrierës së tij me kombëtaren, kjo mendoj se është një përrallë. Të gjithë e dinë se si u sollën lojtarët e sotëm të kombëtares me të, duke i marrë shiritin. Problemi i tij nuk lidhet me faullin që i shkaktova unë, por me situatën e tij me shokët dhe trajnerin e tij.

Khedira“Boateng i padisiplinuar, Gjermania e largoi me të drejtë”
Të shtunën nuk do të ishin rivalë por shokë skuadre, nëse Kevin- Princ Boateng nuk do të godiste me shkelm në kokë Makoto Haseben, kapitenin e Kombëtares japoneze kur luante me Gjermaninë e U-21. Federata Gjermane e dënoi me 4 ndeshje pezullim, por kjo ishte dhe gafa e fundit që i lejohej mesfushorit gjaknxehtë në një kombëtare që disiplinën e futbollistëve e vendos edhe përpara rezultatit.
Kevin-Princ Boateng është shprehur se Gjermanisë i mungojnë personalitetet dhe nuk është hera e parë që e thotë diçka të tillë, e megjithatë nuk ka mundur dot kurrë t’ju mundë. Ju si do t’i përgjigjeshit?
Unë e kam njohur Kevinin që në moshën 15-vjeçare. Ai është një personalitet, i cili ka të drejtë të shprehë edhe pikëpamjet e tij për gjërat. Por unë nuk do t’i kushtoja shumë rëndësi asaj që ai thotë. Siç thotë edhe një shprehje në futboll: Të vërtetën e thotë fusha!
Në vitin 2007, trajneri i Gjermanisë U-21, Diter Ailts, e përjashtoi Boatengun nga skuadra për shkak të thyerjes së rregullave gjatë një turneu, ndërsa në 2009-n mori zyrtarisht fund karriera e mesfushorit me “pancerat”. Keni qenë shokë skuadre atëherë, ju kujtohet ai moment?
Unë Kevinin e kam mbështetur gjithnjë, por ka disa rregulla që nuk mund t’i vësh kurrë në diskutim. Një lojtari mund t’i lejohen një apo dy çapkënllëqe të moshës, por në përgjithësi duhet të jesh i disiplinuar për të qenë pjesë e një skuadre profesioniste. Trajneri i atëhershëm vendosi ta përjashtonte, dhe personalisht mendoj se veproi drejt. Kevin kishte fajin e tij për atë që ndodhi, dhe ai e di shumë mirë këtë sot, jam i sigurt.
Ju vjen keq që më pas Kevin-Princ zgjodhi të luante me Kombëtaren e Ganës?
Besoj se Kevin është me shumë fat që u ftua nga përfaqësuesja e vendit të tij dhe e shoh të lumtur atje. Ai është një futbollist, të cilin do dëshironte ta kishte në gjirin e saj çdo skuadër në botë. Dhe unë e shoh shumë mirë në përfaqësuesen ganeze dhe më pëlqen si luan. Ai mund të ishte dhe pjesë e Kombëtares gjermane, por ne këtu kemi më shumë alternativa dhe konkurrenca është edhe më e madhe.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"