“Bluve u duhet patjetër fitore ndaj Kastriotit”, Brahja: Dinamon e prisja më lart, Sofranak është super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 9:46

“Bluve u duhet patjetër fitore ndaj Kastriotit”, Brahja: Dinamon e prisja më lart, Sofranak është super

Julian Brahja është ak tivizuar me shumë skuadra në vendin tonë, ku ka lënë gjurmë me lojën e tij, ndërsa vitet e fundit të karrierës u lidh me Dinamon dhe fanellën e saj. Si futbollist për disa vite dhe më pas zëvendëstrajner, kur Dinamo drejtohej nga Igli Allmuça. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ishmbrojtësi thekson se Dinamo ka një grup interesant lojtarësh, mes të cilëve veçon malazezin Aleksandër Sofranak si ndër më të mirët e kampionatit. Në gjykimin e laçianit, skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi duhej të ishte më lart me pikë.

Brahja-ne-dyluftim

RIKTHIMI – “Si ish-lojtar dhe një vit ndihmëstrajner, sigurisht që më gëzon rikthimi i Dinamos, që vetëm mirë i bën futbollit shqiptar. Ka një organizim goxha të mirë të kësaj skuadre, me aq sa kemi parë, por mungesa e gjatë në futbollin elitar, duam apo s’duam ne, edhe pse bëhet fjalë për një emër të madh si Dinamo, ka ndikimin e vetë. Me këtë dua të them se duhet pak kohë që skuadra ta gjejë veten dhe të bëhet faktor i rëndësishëm”, deklaroi fillimisht Brahja.

PIKËT – Më tej, ish-mbrojtësi pohon se blutë duhej të kishin më shumë pikë. “E prisja më lart, të them të drejtën, pavarësisht asaj që thashë se vitet larg elitës ndikojnë. Kam parë nga afër disa ndeshje dhe mendoj se ka lënë pikë duke u tërhequr më shumë se sa duhet për të mbrojtur rezultatin. Kanë qenë në avantazh, por nuk ka mundur të marrë pikët maksimale. Në futboll janë të njohura këto situata kur tërhiqesh për të ruajtur avantazhin, por jo më shumë se ç’duhet. Me Egnatian humbi shumë raste. Nga njëra anë kjo është pozitive, sepse kur ka raste do të thotë se ekipi prodhon lojë, por nga ana tjetër duhen shfrytëzuar”.

LOJTARËT – “Personalisht më pëlqejnë lojtarët që ka marrë Dinamo. Ka lojtarë të rinj të talentuar, por që ndoshta u mungon përvoja dhe që do të rriten duke luajtur. Unë do ta veçoja mbrojtësin malazez, Sofranak. Për mua ai është një nga qendërmbrojtësit më të mirë të kampionatit. Ka munguar disa ndeshje dhe Dinamo e ka vuajtur. Ndoshta pas kthimit nga dëmtimi nuk është në gjendjen më të mirë, por ai pa dyshim është një futbollist me kualitet”, shprehet më tej ish-lojtari i Laçit, Teutës, Flamurtarit, Elbasanit, Kukësit dhe Dinamos. Brahja flet edhe për merkato që mund të bëjnë blutë në janar. “Mendoj se kanë nevojë për përforcime, edhe pse në janar është e vështirë të gjesh lojtarë të mirë. Me pak afrime besoj se do të përmirësohet dhe duke pasur edhe më shumë konkurrencë pastaj mes lojtarëve në skuadër, patjetër që gjërat do të shkojnë më mirë”, ka thënë Brahja.

KASTRIOTI – Ish-qendërmbrojtësi foli edhe për ndeshjen e së dielës ndaj Kastriotit. “Duhet ta fitojë patjetër që të qëndrojë në pozitat për të pretenduar Kupat e Europës, që do të ishte një arritje në vitin e parë të rikthimit në elitë. Ky kampionat nuk ka diferenca, është shumë i fortë dhe besoj se Dinamo do të shprehet më mirë. Ndoshta fiton edhe Kupën e Shqipërisë, që besoj se e ka si objektiv serioz. Do të ishte diçka e bukur”, bëri të ditur Brahja, i cili në fund komentoi edhe ecurinë e Laçit dhe Kukësit. “Laçi e nisi vonë kampionatin. Në javët e para mendoj se në skuadër nuk kishte një atmosferë pozitive për shkak të trajnerit. Kukësi? Më ka pëlqyer në disa ndeshje, është një skuadër që luan mirë futboll dhe e shoh të denjë për titullin”.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"