Blof i parë te Luftëtari, një holandez drejt largimit. Ish-kapiteni do 5 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 15:41

Blof i parë te Luftëtari, një holandez drejt largimit. Ish-kapiteni do 5 milionë lekë

I ardhur si përforcim i rëndësishëm në merkaton e verës te Luftëtari, mbrojtësi holandez, Cerezo Hilgen, luajti vetëm dy ndeshje me fanellën bluzi dhe më pas u degdis tek ekipi U-19, pasi nuk ishte në gjendjen optimale prej mbipeshës. 

hilgen cerezo luftetari

Tashmë nga ana e klubit konfirmohet për “Panorama Sport” se 25-vjeçari do të jetë largimi i parë nga skuadra. Qendërmbrojtësi vinte pas aventurës me Kallamatën në Ligën e Dytë greke, ndërsa më parë ishte aktivizuar në Holandë me klube të kategorive inferiore si Lienden dhe Dordreht. Luajti vetëm një ndeshje si titullar ndaj Teutës, ndërsa për herë të fundit ka qenë në fushë në barazimin 1-1 ndaj Laçit.

Duke parë rendimentin e lojtarit, drejtuesit i kanë kërkuar prishjen e marrëveshjes me konsensus. Është vetë drejtori sportiv, Artur Dadaj, i cili për gazetën, sqaroi situatën. “Kemi rënë dakord për prishjen me mirëkuptim të kontratës. Duke mos qenë në planet e trajnerit, si klub kemi vendosur prishjen e kontratës, gjithnjë në mirëkuptim me lojtarin”, theksoi drejtori.

Mersini

MERSINI

Një marrëveshje e ish-presidentit Grigor Tavo me ish-kapitenin e Luftëtarit, Ergis Mersini, në vitin 2017 për një detyrim që mendohet se është 5 milionë lekë të vjetër ndaj lojtarit, ka bërë që në klub të trokasë Përmbarimi. Duke qenë se ish-drejtuesit nuk kanë shlyer ende Mersinin, ky i fundit ka fituar gjyqin me Tavon në Gjykatën e Gjirokastrës.

Afatet janë tejkaluar dhe lojtari pret të shlyhet. “Për këtë çështje duhet të flasin drejtuesit e mëparshëm, pasi nuk na takon neve. S’mund të marr përsipër asgjë më shumë”, sqaroi drejtori sportiv, Dadaj, teksa u pyet për ish-kapitenin Mersini.

realdo-fili

FILI 

Një enigmë më vete te Luftëtari mbetet çështja e mesfushorit fierak, Realdo Fili, i cili vazhdon të stërvitet me të rinjtë. I pyetur dje për një rikthim të mundshëm në skuadër të fierakut, drejtori Dadaj u shpreh se sot mund të vendoset gjithçka. “Vazhdon e njëjtë situata, ajo e pezullimit pa afat. Megjithatë, do të ulemi me trajnerin dhe do flasim për këtë çështje. Nesër (sot) me shumë mundësi do të qartësohet përfundimisht situata e Filit”, përfundoi drejtori.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"