Blof i Bylisit, shpreson te mbijetesa Shkumbini

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2013 | 10:42

Blof i Bylisit, shpreson te mbijetesa Shkumbini

Dervishi gool ndaj KastriotitSHKUMBINI-BYLISI  2-1
GOLAT: Dervishi 58′, Lluca 84′ / Bakiu 23′
SHKUMBINI: Ajazi, Pashja (Lluca 46′), Isaji, Vogli, Magani, Musta (Sulkja 78′), Xhyra, Gjata (Mile 46′), Sekseni, Salliu, Dervishi. Trajner: K.Mile
BYLISI: Frashëri, Ristevski, Kelmendi, Adebajo, Arifaj, Gërxho, Sefa (Mikael 46′), Idrizi, Bakiu, Olalekan, Arbri (Huan 68′). Trajner: N.Shensoji
VËZHGUES: Mëhill Shkëmbi (Shkodër)
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë)
GJYQTARET: L.Jemini, E.Barushi, E.Biçaku (Tiranë);

MINUTAT
23′ Gërxho kroson një top pas shpinës së mbrojtjes peqinase për Bakiun, i cili, i gjendur i vetëm përballë Ajazit, shënon në portën peqinase dhe 0-1.
50′ Sulmuesi afrikan Mikael del bukur përballë Ajazit, godet, por gardiani bardhekaltër bën mrekullinë, duke shmangur një gol të sigurt.
58′ Magani nga e djathta jep një asist në zonë për Dervishin dhe sulmuesi shumë pranë portës nuk mund të gabojë, duke barazuar rezultatin, 1-1.
71′ Mile futet bukur në zonën ballshiote, gjuan tokazi, por Frashëri grushton, duke e dërguar topin në fundore.
84′ Sekseni godet drejt portës, por Frashëri grushton, pranë portës është Lluca që gjuan fort duke shënuar golin e fitores, 2-1.

Shkumbini ka arritur një fitore shprese përballë Bylisit, duke e mundur me rezultatin e ngushtë 2-1. Edhe pse ballshiotët kanë shënuar të parët, Dervishi dhe Lluca kanë përmbysur rezultatin duke vulosur fitoren. Tashmë në kampin peqinas janë me sy e veshë nga sfida e sotme Besa-Kukësi, ku shpresojnë se kavajasit do të ndalen në fushën e tyre, pasi vetëm në këtë mënyrë ata do të kenë shanse reale për të siguruar mbijetesën.
Ndeshja – Takimi mes vendësve dhe ballshiotëve duhet thënë se ka nisur nën një ritëm mesatar dhe në minutat e para të dyja skuadrat duket se më shumë studiojnë njëratjetrën. Duhej pritur minuta e 7-të që të regjistrohej rasti i parë i takimit, kur Gjata godet nga jashtë zonës, por topi përfundon mbi traversë. Takimi bëhet më i ndezur dhe janë peqinasit, ata që kërkojnë me insistim golin, por pa sukses.Nga ana tjetër, të besuarit e Shensojit nuk mendojnë vetëm të mbrohen, përkundrazi, zbresin rrezikshëm me anë të Bakiut dhe Arbrit që provojnë reflekset e portierit Ajazi. Në të 23-ën minutë, sulmuesi shtatshkurtër Bakiu arrin të gjejë rrugën e rrjetës, duke i dhënë avantazhin Bylisit. Fraksioni i dytë nis me dy zëvendësime për Shkumbinin, ndërsa trajneri Mile aktivizon sulmuesit Lluca e Mile, duke i dhënë përparësi repartit ofensiv. Lëvizjet e teknikut japin menjëherë efekt. Miqtë ndjejnë presionin vendës dhe, në pamundësi për t’u organizuar, mendojnë vetëm për ta larguar topin. Volumi i madh i lojës së peqinasve shpërblehet në të 58- ën minutë, kur Dervishi arrin ta baraspeshojë rezultatin. Skuadra e trajnerit Shensoji fillon të ndjejë lodhjen, megjithatë mbrohet me fanatizëm. Gjithsesi, për të sjellë qetësinë në shkallët e stadiumit të Peqinit mendon sulmuesi Lluca, i cili në minutën e 84-t tregohet i saktë duke e dyfishuar rezultatin.

Naxhi Shensoji
“Mendoj se sot (dje) fitoi ekipi që e kërkoi më shumë suksesin, dhe ai ishte Shkumbini. Ne ishim disi euforikë pas kualifikimit në finalen e kupës, ndërsa mposhtëm Skënderbeun, megjithatë na duhet pak kohë që këtë eufori ta përqendrojmë në nivelin optimal te futbollistët. Një lojë ‘fair play’ dhe mjaft korrekte”.

Kristaq Mile
“Kemi arritur një fitore të vështirë, edhe pse e dinim që përballë kishim një skuadër mjaft të fortë. Ne e shfrytëzuam faktorin fushë, si dhe freskinë fizike të futbollistëve, duke ditur impenjimin e kundërshtarit në mesjavë. Ky rezultat na mban gjallë shpresat për mbijetesë, porse kjo varet edhe nga rezultati i rivalëve”.
FATMIR AHMETI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"