BLOBI I JAVËS/Edi Rama tifoz i Partizanit, Vasil Ruci: Jam i qetë kur shaj!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2016 | 19:34

BLOBI I JAVËS/Edi Rama tifoz i Partizanit, Vasil Ruci: Jam i qetë kur shaj!

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: “Kur kam qenë i vogël, si të gjithë fëmijët bëja tifo me Partizanin. Vuaja shumë humbjet ndaj Dinamos së famshme të Pernaskës, Zërit dhe Ballgjinit. Tirana? Ishte një histori qesharake njerëzish vullnetmirë, por pa vizionin e duhur dhe pa vullnetin e duhur për të ndërtuar një projekt”.

vasil-ruciMirel Josa, trajner i Skënderbeut: “Sabjen Lilaj është futbollisti që do të doja në çdo skuadër që unë do të drejtoja. Ndërsa do të veçoja edhe Devi Mukën, Klodian Duron, Orges Shehin dhe Bledi Shkëmbin, pasi janë lojtarët më të mirë që unë kam stërvitur”.

Sulejman Starova, ish-trajner i Partizanit: “FSHF nuk jep lekë as për shkumën e gjyqtarëve, që këta të fundit të përcaktojnë distancën e barrikadave sa herë ka goditje dënimi. Kemi parë që muri vendoset në 5 metra dhe gjithçka u lihet në dorë hapave të gjyqtarëve”.

Tahir Kastrati, shef i gjyqtarëve: “Kukësi kërkonte që ta përcaktonte vetë arbitrin me kërkesën që bëri para ndeshjes ndaj Skënderbeut. Përveç Laver Allës, nuk donte as gjyqtarin e FIFA-s, Bardhyl Pashaji. Në këto kushte, duke ditur që Enea Jorgji ishte i angazhuar në një seminar të UEFA-s në Rumani, vetëm Lorenc Jemini mbetej i lirë”.

Melis Dervishi, gjyqtar i kolegjiumit të Shkodrës: “Misioni u krye me sukses, Partizani-Flamurtari 1-1” (postimi i anësorit pas ndeshjes në rrjetin social “Instagram”, që prodhoi shumë polemika, nisur nga fakti se të kuqve iu mohua gol pikërisht në krahun ku ai ishte asistent).

Bujar Qamili, këngëtari i mirënjohur ishte të dielën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit për të mbështetur Vllazninë. Pas golit të Teutës, një tifoz durrsak e ironizoi, duke iu referuar edhe këngëve të tij. “Ta bëri pranverën dimër Xhonatani”.

Vasil Ruci, zyrtar i Flamurtarit: “Unë jam i qetë kur shaj, por ama kur acarohem, e bëj sepse shoh që ka padrejtësi të madhe. Kur kam luajtur, kam marrë lumë të sharash, kështu që dua t’i barazoj tani”.

Sokol Kushta, ish-trajner i Flamurtarit: “Unë jam vlonjat dhe bëj tifo për Flamurtarin, por kur luan ndaj Partizanit, jam me të kuqtë”.

Astrit Fazliu, sulmues i Partizanit: “Nuk janë gjërat e lehta si i mendojnë disa. Kur mungojnë luanët, lepujt bëhen trima”.

Arjan Sheta, mbrojtës i Laçit: “Po ky ç’pati me mua, kemi udhëtuar një vit bashkë në një furgon” (i referohet mbrojtësit të Tiranës, Olsi Teqja, i cili në ndeshjen e së dielës i ndërhyri rëndë dy-tri herë).

Abaz Karakaçi, kapiten i Tërbunit: “Kemi 7 muaj që nuk paguhemi nga klubi, kjo është një gjendje e patolerueshme. Jemi duke sakrifikuar, pasi të gjithë lojtarët po japim parà nga xhepi për t’u stërvitur”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"