BLOBI I JAVËS/ Bakaj tallet me Frashërin, Gjika aleat i Idrizit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2016 | 19:02

BLOBI I JAVËS/ Bakaj tallet me Frashërin, Gjika aleat i Idrizit

Sinan Idrizi, administrator i Flamurtarit: “Mund të jem dështak i futbollit, por jam krenar që nuk vjedh fonde publike. Kam lojtarë me kontrata serioze, duke i bërë qytetarë të ndershëm të këtij shteti. Blerja më e mirë e Flamurtarit deri më tani është Zekerija Ramadani”.

Idrizi dhe GjikaShpëtim Gjika, ish-kryebashkiak i Vlorës: “Jam aleat i administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi. Për momentin jam në krah të tij moralisht dhe e inkurajoj për këtë situatë. Akuzat? Mbaj unë…”.

Edmond Lutaj, ish-trajner i Flamurtarit: “Nuk është vetëm faji i Shpëtim Gjikës. Te Flamurtari ka ende drejtues që duhet të ishin zhdukur. Mirëpo, ata persona vazhdojnë të drejtojnë”.

Elis Bakaj, fantazist i Tiranës: “Dihet se kush është Stivi Frashëri, një portier i dështuar. Prej gabimeve të tij kemi marrë një lumë të sharash. Dhe e dini pse? Sepse i iknin topat nga duart dhe pësonim gol. Ligjin te Tirana e bën trajneri Daja dhe presidenti Halili që investon. Askush tjetër nuk mund t’i fusë hundët te Tirana”.

Stivi Frashëri, ish-portier i Tiranës: “Tirana ishte e ndarë në klane, por unë shihja punën time, ndonëse shpeshherë më është rënë në qafë, me urdhër të presidentit Halili, tifozëve dhe njerëzve brenda ekipit, pikërisht ish-lojtarëve të Partizani. Ndihem i keqtrajtuar nga Halili”.

Refik Halili, president i Tiranës: “Do të ishte mirë që një ditë si klub t’ia çojmë në një kasetë Frashërit golat që ka pësuar. Edhe Nojer të ishte, do përfundonte në stol po të pësonte ato gola. Shkëlqimi i djalit? Kur po vinte nga Fieri, Grenti më njoftoi se kishte shënuar dhe më tha: Sa e kam premion? Kur më tregoi se kishin humbur me shifrat 4-2, i thashë që të gjithë keni gjoba”.

Armando Cungu, trajner i Vllaznisë: “Më vjen keq, por këto janë mundësitë në merkato. Një pjesë e lojtarëve stepen nga paraqitja e Vllaznisë në vitet e fundit apo edhe paditë në FIFA. Shumë prej tyre në fillim na thonë ‘po’, pastaj ndërrojnë mendje dhe nuk na vijnë”.

Andrea Agostineli, trajner i Partizanit: “Në Shqipëri nuk ka profesionalizëm. Ka shumë mangësi, nuk ka orare të sakta, të përcaktuara për ngrënien dhe regjimet. Këtu hahet ndryshe nga Italia”.

Lorenc Trashi, mesfushor i Partizanit: “Krasniq, merre pa faull topin”. (ndërkohë gjyqtari i miqësores së djeshme Partizani-Apolonia, akordon menjëherë goditje dënimi kundër të kuqve). “O arbitër po unë nuk të thashë jepi faull Krasniqit”, – i tha Trashi gjyqtarit kryesor.

Tifozët e Kukësit: “E keni parasysh Haxhi Pishmanin? E kemi në stafin drejtues të klubit! E marrin në ekip, pastaj i thonë: leje, leje, se kemi gjetur tjetër! Aspak profesionalizëm!”. (ironia e tifozëve kuksianë me klubin pas largimit të çuditshëm të Roland Peqinit).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"