Bllokimi i grantit, presidenti Martin Biba: Situatë skandaloze, jemi përpara një pengese të jashtëzakonshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 23:42

Bllokimi i grantit, presidenti Martin Biba: Situatë skandaloze, jemi përpara një pengese të jashtëzakonshme

Vit i ri, probleme të vjetra. Federatat sportive në vendin tonë janë përpara një situate tepër të vështirë, ku ndodhen tërësisht të paralizuara nga mosdhënia e Fondit Grant që akordohet nga shteti për sportin. Si të mos mjaftonte buxheti, i cili çdo vit sa vjen dhe reduktohet, tashmë federatat nuk mund të bëjnë asnjë hap, duke qenë se ende nuk dinë se sa para do të marrin dhe më e rëndësishmja kur do t’i marrin. 

biba-martin

Siç dihet, viti 2020 është shumë i rëndësishëm për shkak se do të mbahet edhe olimpiada, por për ministrinë me sa duket kjo nuk përbën asnjë problem dhe askush nuk e vë ujin në zjarr.

Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me një prej federative elitare siç është ajo e mundjes, ku presidenti Martin Biba shprehu të gjithë shqetësimin e tij për këtë që po ndodh: “Jemi më 23 janar dhe ende nuk është bërë asgjë për shpërndarjen e Fondit Grant. Jemi jashtëzakonisht të vonuar, pasi Federata Shqiptare e Mundjes në mes të shkurtit ka Kampionatin Europian, që është një garë kualifikuese për në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Kështu që ne deri më tani jemi të bllokuar për dërgimin e sportistëve në këtë kompeticion.

Ne duhet të marrim pjesë me sportistët Eriglent Prizreni dhe Paris Kaperi, por jemi para një pengese të jashtëzakonshme. Që prej fundit të muajit nëntor, i bie që ne të mos kemi asnjë aktivitet qoftë me sportistët e Kombëtares, ashtu edhe me ata të klubeve. Jemi para një bllokimi të jashtëzakonshëm për aktivitetet tona”, thotë kreu i mundjes. Më pas, i pyetur se çfarë përgjigjeje ka marrë në ministri lidhur me këtë situatë, Biba thotë:

“Sigurisht unë kam komunikuar me ta, madje edhe sot (dje), mirëpo çështja është që ende nuk e kanë nxjerrë grantin, e jo më ta nisin për në thesar. Ne jemi në pritje, por jemi shumë të vonuar”. Kjo që po ndodh nuk është aspak risi, pasi vijon të përsëritet çdo vit, për të cilën Biba shprehet: “Një situatë aspak normale, për mundjen dhe të gjithë sportin shqiptar. Është diçka skandaloze. Mbështetja e shtetit është jashtëzakonisht e dobët, të cilën do ta quaja në kufijtë e ekzistencës. Pa harruar që ky fond zbret nga viti në vit, që është gjithashtu një skandal më vete.

Nga 105 milionë që e kemi pasur me qeveritë e kaluara, tashmë jemi në 60 milionë sepse 20 milionë shkon paga e sekretarit të përgjithshëm dhe e shefes së financës. Ku edhe kjo është skandaloze, pasi sekretari dhe shefja e financës ende s’kanë marrë pagat e dhjetorit, për shkak të mbylljes së buxhetit”, përfundon Martin Biba, duke shpresuar në një zgjidhje sa më të shpejtë pasi koha nuk premton.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"