“Blindohet” prapavija, Besa afron në merkato ish-mbrojtësin shkodran të Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2020 | 10:07

“Blindohet” prapavija, Besa afron në merkato ish-mbrojtësin shkodran të Luftëtarit

Presidenti Nexhat Bizhdili vazhdon të befasojë në merkato. Ai ka bërë një tjetër lëvizje, teksa ka afruar në skuadër qendërmbrojtësin Armenis Kukaj, i cili vetëm disa ditë më parë u largua nga Bylisi. Shkodrani sezonin e kaluar kontribuoi për Luftëtarin dhe pasi nuk gjeti akordin me Bylisin, Besa është hedhur në sulm për të siguruar shërbimet e tij. Me ardhjen e këtij futbollisti, trajneri Kashami “blindon” prapavijën verdhezi.

KUKAJ

Kujtojmë që më herët presidenti Bizhdili ka marrë edhe vlonjatin Igli Moqi, i cili pas një dëmtimi 2-javor, i është bashkuar grupit. Afrimi i fundit rrit ndjeshëm konkurrencën në mbrojtjen e Besës, ku në qendër të saj në të gjitha miqësoret kanë luajtur Kacbufi dhe Shimaj. Në ndeshje të caktuara në këtë rol është kthyer edhe kapiteni Muçaj. Tashmë pritet të jetë një “luftë” e vërtetë për dy vendet e titullarëve për qendrën e mbrojtjes.

Në fakt, te Besa ka konkurrencë jo vetëm në mbrojtje, por në të gjitha repartet. Trajneri Kashami e ka bërë të qartë se nuk do të shohë emrat apo CV-të, por atë që çdo lojtar jep në stërvitje. Askush nuk e ka të sigurt formacionin. Besa ka alternativa të shumta në mesfushë dhe në sulm, çka do të thotë se këtë sezon ka vërtet skuadrën për të pretenduar rikthimit në Superiore.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"