Blindohet Elbasani përpara ndeshjes me Izraelin, këshilla speciale për banorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 12:38

Blindohet Elbasani përpara ndeshjes me Izraelin, këshilla speciale për banorët

Ndeshja me Izraelin është gjithnjë një sfidë e veçantë për sa i përket sigurisë. Duket sikur ndeshja kalon në plan të dytë dhe këtë e tregojnë dhe masat e marra. Kjo u pa qartë edhe pasditen e djeshme kur kombëtarja izraelite zbarkoi në “Elbasan Arena” për të kryer seancën stërvitore, teksa skuadra mbërriti në stadium me katër furgonë dhe autobusë, duke hyrë menjëherë në ambientet e brendshme të impiantit.

elbasan-arena-506x350

Në çdo pallat aty pranë dhe në stadium ishin vendosur snajperë për të kontrolluar çdo lëvizje të dyshimtë aty përreth. Çdo gjë që hynte në stadium kontrollohej nga qentë anti-eksplozivë dhe këtij rregulli nuk i shpëtuan as qeset me akull që i nevojiteshin skuadrës. Ndërkohë, “Panorama Sport” mësoi se janë njoftuar edhe banorët e pallateve përreth që të mos bëjnë lëvizje të dyshimta përgjatë ndeshjes, duke evituar daljet në ballkone apo edhe në dritare. Për banorët aty pranë ndeshje të tilla janë kthyer në një makth më vete, por siguria me sa duket vlen mbi të gjitha kur luan Izraeli. Kuptohet që stadiumi është kontrolluar i gjithi para seancës së djeshme stërvitore, si edhe një gjë e tillë do të bëhet edhe ditën e sotme, ndërkohë që stadiumi do të jetë i survejuar deri në përfundim të ndeshjes.

IZRAELITËT Miqtë nga Izraeli duken të qetë përpara kësaj sfide dhe kjo u pa jo vetëm në konferencën për shtyp, por edhe gjatë seancës stërvitore që kryen në “Elbasan Arena” një ditë para ndeshjes. Lojtarët së bashku me stafin ishin të relaksuar dhe bënin batuta me njëri-tjetrin, kjo ndoshta për të shtensionuar disi situatën midis tyre. Përpos faktorëve të jashtëm për masat e sigurisë, me të cilët izraelitët janë mësuar, nuk kishte asnjë shqetësim në kampin e tyre. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky optimizëm i tyre do të shpërblehet në fushë ditën e sotme në Elbasan.

eeee-1

MASAT “Policia e Shtetit, me qëllim garantimin e plotë të sigurisë së ndeshjes së futbollit, do të angazhojë rreth 670 forca policore, sipas sektorëve për sigurimin e rrugëkalimit nga Tirana në Stadiumin “Elbasan Arena”, për sigurimin e rendit dhe të sigurisë në qytetin e Elbasanit. Strukturat e Policisë së Shtetit po monitorojnë rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve, që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit, etj. Do bëhet bllokimi i disa segmenteve rrugore, ndërsa në sheshin para stadiumit, do të lejohen të parkohen vetëm automjetet e pajisura me autorizimin përkatës nga Federata Shqiptare e Futbollit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.

 VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"