Blerjet te Flamurtari “nisin” plazhin, Idrizi apel skuadrës: Boll i kemi zhgënjyer tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2018 | 20:50

Blerjet te Flamurtari “nisin” plazhin, Idrizi apel skuadrës: Boll i kemi zhgënjyer tifozët

Flamurtari “harron futbollin”, i gjithi në plazh! Menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri pas fazës përgatitore të zhvilluar në Greqi, futbollistët e Flamurtarit kanë shfrytëzuar të dielën e lënë pushim nga trajneri Ilir Daja. Disa prej tyre nuk kanë nguruar t’u drejtohen plazheve. Kështu ka ndodhur edhe me sulmuesin Tomislav Bushiç, i cili dje ishte nën shoqërinë e dy blerjeve më të reja të Flamurtarit, Agustin Torasa dhe Elton Kale.

idrizi

Këtë moment nuk e kanë lënë pa e ndarë edhe me ndjekësit në “Instagram”, duke publikuar edhe foto. Të binte në sy se Kale, pasi zhvilloi fazën përgatitore në Karpenisi, ka mbërritur në Vlorë, edhe pse Kukësi, ishskuadra e tij e mëparshme, po e mban peng duke mos i dhënë letrat. Palët duhet që ta zgjidhin vetë këtë çështje, ashtu sikundër ka kërkuar edhe administratori Sinan Idrizi. Kukësi pretendon se Kale është në kontratë, ndërsa vetë braziliani pretendon të kundërtën, madje me këtë çështje po merret përfaqësuesi i tij ligjor. Por, çështja nuk duket shumë e lehtë, duke parë edhe kërcënimet e presidentit Safet Gjici, i cili është shprehur nga ana e tij se nuk do të “lëshojë pe” dhe do ta ndjekë ligjërisht këtë çështje. Por, përderisa Kale dje është parë në plazhet e Vlorës, do të thotë se i qëndron fort faktit se nuk ka asnjë problem me Kukësin dhe se është lojtar i lirë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vijim.

OBJEKTIVI – Flamurtari i këtij sezoni do të ketë objektiva të qartë. Klubi kërkon minimumi që ekipi të arrijë Kupat e Europës. Është vetë administratori Sinan Idrizi, i cili për “Panorama Sport” bën të ditur këtë objektiv. Idrizi la të hapur mundësinë e objektivave madhorë, ndërsa minimalja është Europa dhe se nëse nuk arrihet ky objektiv, është një dështim i madh. “Për të folur për objektivat unë dua që të sqaroj diçka. Objektivat i dinë vetë futbollistët. Dua të theksoj se objektivi më minimal i sezonit që pritet të startojë këto ditë është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Kur them minimalja, e merrni vetë me mend, pasi në Vlorë janë “të etur” për më shumë. Nuk duhet që të zhgënjejmë tifozët tanë, sikundër kemi bërë në këto vite, kur nuk kemi realizuar asnjë objektiv. Në disa momente kemi diskutuar edhe mbijetesën. Dua të them se nëse nuk arrijmë Europën, atëherë do të dështojmë sërish”, u shpreh Idrizi.

MERKATO – Sinan Idrizi u ndal në prononcimin e tij për gazetën edhe te merkatoja. Administratori tha se puna vijon dhe do të ketë edhe të tjera afrime. “Merkato është e hapur. Puna vijon për afrimin e futbollistëve. Dua të them se po punohet dhe do të ketë të tjerë lojtarë që do t’i bashkohen Flamurtarit. Nuk dua të flas me emra konkretë, pasi është trajneri Daja ai që po merret me këtë çështje. Unë i ofroj mbështetje për gjithçka”, përfundoi Sinan Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"