Blerja e merkatos së verës e Partizanit del jashtë planeve të Kolelës, sa shumë pritje edhe për shkodranin 19-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 22:44

Blerja e merkatos së verës e Partizanit del jashtë planeve të Kolelës, sa shumë pritje edhe për shkodranin 19-vjeçar

Gjatë merkatos së verës qendra e mbrojtjes së Partizanit iu nënshtrua disa ndryshimeve të rëndësishme. Nga skuadra u largua një lojtar si Damçevski, gjithashtu Sembene nuk po luan më me ekipin e parë.

MENISH

Gjithsesi, Belica ishte largimi për të cilin u përfol shumë dhe që nisi lëvizje me efekt domino. Largimit të planifikuar të Belicës drejtuesit i paraprinë me transferimin e Jozef Menish.

Sllovaku erdhi me mjaft bujë pasi ka një CV mjaft të pasur dhe është 27 vjeç, që konsiderohet si mosha, kur një futbollist arrin kulmin e tij.

Por sinjalet e Menish në stërvitje dhe në ndeshjet e para miqësore nuk i ngrohën sa duhet drejtuesit, të cilët të ndihmuar edhe nga situata e merkatos, firmosën me Marçelino Prekën.

Mbrojtësi, i cili u mor për të shërbyer për të tashmen, por më së shumti edhe për të ardhmen u ble për 60 mijë euro nga Bylisi, plus huazimin e Aldo Teqjes në Ballsh.

PROBLEMET – Cilësitë e 19-vjeçarit janë të padiskutueshme, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për gjendjen fizike të tij. Ai vuan nga një problem muskulor në rrëzat e kofshëve, çka e ka shqetësuar në gjithë muajin e kaluar dhe nuk e ka lejuar të debutojë. Fatmirësisht në stërvitjen e djeshme ai ishte pjesë e ekipit dhe mbetet të shihet se sa gati do të jetë për Vllazninë, pasi nuk luan prej shumë kohësh.

preka

SLLOVAKU – Nga ana tjetër, Menish gëzon një gjendje fizike mjaft të mirë dhe është një nga të paktët afrime të verës në këto kushte. Por besimi i Kolelës tek ai u lëkund që në ndeshjen e parë të Superiores, kur ktheu një top te Rexhepi pa maturinë e duhur dhe i dha shansin Egnatias të gjente golin me Camajn. Që nga ajo ndeshje, megjithëse erdhi me mjaft bujë si pasuesi i Belicës, Menish ka qëndruar në stol dhe është aktivizuar në vetëm një ndeshje nga stoli.

SOTA

SOTA – Fieraku është prej një viti pjesë e Partizanit, por në asnjë moment drejtuesit nuk e konsideronin në nivelin për të qenë titullar, deri kur sharra u ngeci në gozhdë. Për shkak të pasigurisë së Menish dhe mungesës së Prekës, Eljon Sota u kthye titullar dhe po dëshmon se deri më tani është gabuar që nuk kanë besuar tek ai. Gjithsesi, tashmë Kolela është i bindur dhe 24-vjeçari e ka blinduar vendin krah Bitrit në qendër.

SK (1)

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"