Blerim Kotobelli, apel tifozëve: Ejani të mundim Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2022 | 0:03

Blerim Kotobelli, apel tifozëve: Ejani të mundim Kukësin

Teuta ka arritur në fitore tepër të vyer ndaj Dinamos, duket mos i lejuar vetes një hap fals në këtë fund sezoni. Për mbrojtësin durrsak, Blerim Kotobelli, suksesi mbërriti pas një grinte të treguar nga minuta e parë nga të gjithë shokët e ekipit.

KOTOBELLI 1

Për Kotobellin, takimi me Kukësin është përballje e fortë. Një fitore në një ndeshje të vështirë si ajo me Kukësin do të thoshte një hap tjetër drejt ngjitjes në renditje thekson mbrojtësi në një intervistë për “Panorama Sport”.

Sa vlera kishte trepikëshi ndaj Dinamos?

Ndaj Dinamos morëm një fitore të vyer, pavarësisht se erdhi me një gol. Ka qenë një përballje e mbushur me emocione të shumta dhe arritëm një fitore të merituar.

Fakti që tri pikët ishin domosdoshmëri ju futi disi në presion?

Kjo fitore na ka vlejtur shumë për të arritur qetësinë e duhur para përballjes me Kukësin. Një fitore e ardhur pas një grinte të treguar nga minuta e parë nga të gjithë shokët e ekipit. Besoj që këtë dëshirë dhe grintë do ta tregojmë edhe në takimin me Kukësin.

Çfarë prisni nga ndeshja ndaj Kukësit?

Do të jetë një takim tepër i vështirë për ne. Kukësi ka një ekip të mirë, këtë e ka treguar edhe në këtë sezon. Prandaj mund të them pa asnjë hezitim se do të kemi në përballje të vështirë.

Tri pikët janë synimi i vetëm apo dhe një barazim do të ishte i pranueshëm?

Shpresoj se do të arrijmë atë që të gjithë presin nga ne, të marrim një fitore dhe të jemi të qetë deri në fund të kampi onatit. Për mua, kjo përballje është shumë e fortë. Nëse duam të jemi të qetë në takimin e fundit, duhet që të marrim maksimumin ndaj Kukësit. Normalisht që ne do të hyjmë në fushë për tri pikë nëse loja shkon barazim atëherë s’kemi çfarë të bëjmë, por edhe një pikë na vlen, pasi na jep shumë shanse për më tej, por unë jam i bindur se fitojmë.

A keni një mesazh për tifozët në këto javë të fundit?

Sigurisht që tifozët janë një ndihmë shume madhe për skuadrën. Ju bëj thirrje të jenë sa më të shumtë në stadium, pasi skuadra ka nevojë për ta. Skuadra ka marrë rezultate pozitive në javët e fundit, ndaj tifozët duhet të jenë prezentë ndaj Kukësit. Ata në këtë moment duhet të mbështesin skuadrën nga shkallët e stadiumit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"