Bizhdili sqaron pagat dhe merkaton e Besës: Afrime në të tria repartet në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2019 | 12:37

Bizhdili sqaron pagat dhe merkaton e Besës: Afrime në të tria repartet në janar

Ekipi i Besës ka mar rë dje një tjetër bonus financiar nga Bashkia e Kavajës. Këshilli Bashkiak ka miratuar fondin shtesë në favor të ekipit, që nga 14.5 milionë që ishte, shkon në 20 milionë lekë të rinj. Përtej këtij fakti, futbollistët e Besës nuk kanë marrë 2 rrogat e fundit dhe këtë çështje e sqaron presidenti Nexhat Bizhdili në një prononcim për “Panorama Sport”. 

Bizhdili Besa

Ai kishte ngrirë rrogën e tetorit, me kushtin e 3 fitoreve, që u arritën. Po ashtu, lojtarët nuk kanë marrë as rrogën e nëntorit, ndërkohë që po mbyllet dhjetori. “Po, është e vërtetë që lojtarët nuk i kanë marrë pagat e tetorit dhe nëntorit. Paga ‘e ngrirë’ duhet të ishte marrë dhe, të jem i sinqertë me ju, stafin dhe lojtarët, këtë javë do të shpërndaj muajin tetor e në fillim të vitit nëntorin. Nuk është Besa për t’u bërë shembull për pagat, pasi ka ekipe të Superiores që kanë pa marrë 3 apo 4 rroga. Kjo nuk justifikon gjithsesi vonesat tona dhe kërkoj ndjesë”, pohon presidenti Bizhdili, i cili flet më tej për kontributin financiar të bashkisë.

“Bashkia ka likuiduar çdo qindarkë për ekipin. Me këtë rast ju bëj me dije se Këshilli Bashkiak ka shtuar me 6 milionë lekë të rinj fondin për Besën. Pra, nga 14.5 milionë është bërë 20 milionë lekë. Kam qenë unë që i kam bllokuar pas penalizimit të ekipit dhe, siç e thashë më lart, këtë javë do ta shpërndaj”, sqaron Bizhdili.

stadiumi besa

STADIUMI

“Bashkë me drejtues të bashkisë dhe FSHF-së kemi parë gjendjen e stadiumit dhe shpresoj që më në fund të ndërhyhet që Besa të kthehet në shtëpi. Nuk di ta them kur, sepse kërkohen shuma të mëdha, por garantoj se bashkia po bën maksimumin. Ajo ka investuar edhe në aneksin stërvitor, në ndriçimin e tij”, thotë presidenti Bizhdili sa i takon çështjes së stadiumit.

Besa-Kavaje

EKIPI 

Me 17 pikë, Besa e deritanishme është një zhgënjim. “Po, nuk jemi aty ku pritej. Besoja shumë te fitorja me Lushnjën, por pa sulmues nuk fitohet. Onuh nuk luajti se ishte dëmtuar, na u dëmtua edhe Cara. Nuk dua më të premtoj Superioren e gjëra të tjera, le t’ia lëmë kohës të tregojë se ku do ta çojmë Besën. Di të them se do të ndërhyjmë në merkato në të tria repartet”, përfundoi Bizhdili.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"