Bizhdili: Magani “mbret”, askush në fushë pa lejen e tij. Nuk kam autoshkollë, harrojeni…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2022 | 19:35

Bizhdili: Magani “mbret”, askush në fushë pa lejen e tij. Nuk kam autoshkollë, harrojeni…

Nexhat Bizhdili vendos rregulla të forta para nisjes së fazës përgatitore. Verdhezinjtë do të zbresin sot në fushë dhe presidentit i është dashur të japë këtë urdhër: “Askush nuk do të dalë në fushë, pa marrë lejen e Gugash Maganit”. Kjo nuk vjen pa shkak.

bizhdili maganiPavarësisht përgjigjeve negative që u ka dhënë shumë futbollistëve, menaxherëve, trajnerëve apo prindërve, e di që kjo nuk do t’i ndalë. Sot në “lojë” mund të futen “miqtë” më të afërt, që të besuarit e tyre të paktën të jenë në provë te kavajasit. I njohur për zemërgjerësinë e tij, “Xhati” s’ka dashur t’u thotë jo-në e prerë, por ia ka lënë në dorë vendimmarrjen teknikut peqinas.

Një gjë të tillë e pohon edhe për “Panorama Sport”, ku qartëson se nuk ka në plan që ta bëjë autoshkollë ekipin e tij. “Nuk është viti i parë, që nisur nga emri që ka Besa, afërsia gjeografike me Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Lushnjën e të tjera, të ketë shumë ndërhyrje miqsh e shokësh, por edhe trajnerësh e menaxherësh, për të provuar djalin e filanit, të ish-it etj. Nuk e kam pasur zakon t’i them ‘jo’ të prerë askujt, por as do të lejoj që stërvitja e Besës të shndërrohet në një autoshkollë. Objektivat tanë këtë vit dhe stafi me Maganin në krye nuk e dëshirojnë e as lejojnë këtë gjë.

Ndaj, stafi dhe drejtuesit në klub e dinë se askush nuk do të mundet të nisë stërvitjen me Besën pa lejen e Gugash Maganit. Nëse ai do gjykojë se beson te 2-3 lojtarë dhe do t’i testojë, ajo është puna e tij. Por do të jetë vetëm ai, as unë dhe askush tjetër që është ‘mbret’ në fushë. Ju e dini se kemi afruar 6 futbollistë dhe kemi mbajtur po ashtu disa prej vendësve, por edhe jabanxhinj që vjet mbyllën sezonin me ne. Thënë ndryshe, kemi 13-14 futbollistë titullarë, aktualisht pa llogaritur rezervat.

Deri në fund të muajit, besoj se do të kemi afruar së paku edhe 10 futbollistë cilësorë. Kemi shumë kohë në dispozicion dhe nuk kemi arsye përse të nxitojmë, por të mendojmë për cilësinë e grupit”, përfundoi Nexhat Bizhdili, duke paralajmëruar se në orën 17:30, në aneksin e stadiumit do të vihen nën urdhrat e stafit teknik 6 afrimet e reja, por edhe lojtarët vendës, si Dobjani, Perja, Hoxha, Lila e të tjerë. Priten edhe disa lojtarë në provë, të cilët me sa duket Bizhdili i “ka toleruar” pasi janë nën vëzhgimin e Gugash Maganit.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"