Bizhdili lëshon dorën, rroga dhe shpërblim. Presidenti i Besës premton…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2019 | 14:31

Bizhdili lëshon dorën, rroga dhe shpërblim. Presidenti i Besës premton…

Pak ditë para ndeshjes me Lushnjën, presi denti i Besës, Nexhat Bizhdili, ka bërë një vizitë “blic” në stërvitjen e ekipit. Gazeta mëson se krahas motivimit për ndeshjen e radhës, ai u ka premtuar stafit dhe lojtarëve se do të marrin çdo qindarkë të premtuar, rrogën e ndaluar dhe shpërblim. Bizhdili ka kërkuar fitoren e 4-t radhazi. Për “Panorama Sport”, presidenti kavajas dha këtë intervistë.

Bizhdili-2

Z. Bizhdili, a e morën futbollistët rrogën e ngrirë, sipas premtimit?

Për arsye burokratike bankash, rroga do të merret nesër (sot). Është një premtim dhe i qëndroj. Të jemi i sinqertë, ndonjë vonesë ka pasur dhe mund të ketë, por futbollistët dhe stafi do të marrin çdo shpërblim të djersës së tyre. I garantova se do t’u jap jo vetëm rrogat, por edhe shpërblimet që u kam premtuar.

Ishte presioni juaj që Besa morri 3 fitore, kur më parë ka gabuar edhe me ekipe si Shënkolli e Iliria?

Asnjëherë nuk kam shprehur mosbesim te ky grup, pavarësisht se janë mbi 70% lojtarë të rinj. Kisha besim që ua pezullova rrogën dhe koha më dha të drejtë. Fituan 3 ndeshje bindshëm, me 8 gola të shënuar. Nuk pati ndonjë ndryshim drastik në lojë, thjesht sakrifikuam më shumë. U la pas dëshira e secilit për gol dhe prapavija ishte aty ku duhet. Nëse ky grup jep maksimumin dhe luan thjesht, mposht këdo.

besa

Kjo do të thotë se Besa nuk ka nevojë për merkato…? 

Jo, për vetë ambiciet që kemi, duhet të përforcohemi në të tria repartet, duke nisur nga porta. Lojtarët e rinj po bëjnë mjaft mirë, por objektivin madhor nuk mund ta arrijmë vetëm me ata. Merkatoja e korrikut nuk plotësoi nevojat në ekip, ndaj dhe në janar do të ndërhyjmë. Janë kërkesat e trajnerit Magani, që dua t’i plotësoj.

Takimi i radhës me Lushnjën, si e parashikoni? 

Lushnja gjithnjë është ekipi i parë që synon Superioren. Ka një grup që luan prej vitesh bashkë. Ky vlerësim real për ta nuk do të thotë se Besa qëndron më poshtë. Fazën e parë, Besa ia “dhuroi” fitoren, ndërsa të dielën besoj se do marrim fitoren e 4-t radhazi.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"