Bizhdili i vë syrin vendit të dytë, piketon edhe afrimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 12:12

Bizhdili i vë syrin vendit të dytë, piketon edhe afrimet

Fitorja ndaj kryesuesve të Po gradecit, për më tepër me përmbysje rezultati, dëshmoi vlerat e Besës. Po ashtu, ajo fitore tregoi edhe anën tjetër të medaljes, atë që “armiku” më i madh i verdhezinjve është vetë Besa, që gabimet e gjysmës së parë të sezonit po i paguan shumë shtrenjtë. Këtë mesazh ka marrë nga ajo fitore presidenti i kavajasve, Nexhat Bizhdili, i cili, duke parë Besën e dy takimeve të fundit në Devoll dhe Shijak, ka kuptuar edhe “fajet” e veta për situatën në renditje.
Bizhdili Besa

“Më kënaqi fitorja me Pogradecin në disa plane. E para, sepse mundëm kryesuesin e grupit, duke dëshmuar se fanella jonë mbetet e rëndë. Shënuam të parët, pësuam më pas, por grupi tregoi pjekuri e qëndrueshmëri, duke besuar deri në fund. T’i shënosh Pogradecit 3 gola, nuk është e lehtë. Kur ekipi im luan i qetë, pa presion, mund të mposhtë këdo. Më kënaq edhe fakti që tashmë, pas gati një viti, kemi fituar lojtarët e rinj që afruam në gusht. Ajo që më “vrau” pas fitores së fundit është diferenca në pikë që kemi me Pogradecin dhe Apoloninë. Ju siguroj se nëse sot do të kishim 3 pikë më shumë, me ndeshjet e mbetura do të kapnim kreun” thekson Bizhdili për “Panorama Sport”.

VENDI I DYTË
Presidenti kavajas tregon edhe objektivin për ndeshjet e mbetura. Sipas tij, vendi i dytë është i kapshëm: “Sot po paguajmë gabimet tona, të askujt tjetër. Ndoshta e kemi të vështirë të kapim Apoloninë kryesuese, por vendin e dytë mund ta arrijmë. Duke parë ndeshje pas ndeshjeje, do luftojmë fort për vendin e dytë. Nuk varet çdo gjë nga ne, por edhe nga rivalët. Një barazim në ndeshjen mes Apolonisë dhe Lushnjës do të na favorizonte. Ne do besojmë deri në fund”.

MERKATO

Teksa flet për të ardhmen, Bizhdili nuk e fsheh faktin se ka nisur të piketojë afrimet e mundshme për sezonin e ri. Bashkë me trajnerët Kashami dhe Teliti ai po vëzhgon elementë që do t’i bashkohen grupit sapo të mbyllen ndeshjet e mbetura. “Merkatoja këtë herë do të jetë ndryshe nga herët e tjera dhe duhet lëvizur shpejt. Ndaj Pogradecit kishim në fushë lojtarë 19- 20 vjeçarë si Dobjani, Kaçbufi, Lila, Zeqiri, Ndraxhi, Mecja, Hoxha etj., të cilët nuk janë më siç erdhën, pa përvojë. Nuk na duhet ta ndërtojmë Besën nga themelet, por shohim për futbollistët që na duhen dhe jemi përqendruar te sulmi”, ka përfunduar presidenti i Besës, Bizhdili.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"