Bizhdili i bashkohet thirrjes së Licit: Urgjent të ndërhyjë shteti, Rama të mbajë premtimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2019 | 19:08

Bizhdili i bashkohet thirrjes së Licit: Urgjent të ndërhyjë shteti, Rama të mbajë premtimet

Pak ditë më parë, administratori i Vllaznisë, Suad Lici, do të apelonte fort për ndërhyrjen e shtetit me anë të ligjeve, në mënyrë që të stabilizohet situata e klubeve të futbollit në Shqipëri.

Bizhdili-2

Lici sillte në vëmendje premtimin e kryeministrit Edi Rama për hartimin e një pakete fiskale, që do të ndihmonte ata që financojnë sot për futbollin.

Këtë qëndrim mban edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili. “Futbolli ndodhet në një krizë që kërkon ndërhyrje urgjente, ndryshe do të përballemi me falimentim të klubeve”, thekson mes të tjerash Bizhdili në intervistën e mëposhtme për “Panorama Sport”. Ai flet edhe për situatën te Besa dhe stopimin e merkatos.

Z.Bizhdili, në çfarë situate ndodhet Besa aktualisht?

Në vazhdën e traditës, edhe këtë sezon do ta mbështes skuadrën, do të përkrah dhe aktivizoj talentet, të cilët nuk gjejnë hapësirat që meritojnë në klubet e tyre. Jemi ende në javën e parë stërvitore, por edhe në pritje të verdiktit të Federatës Shqiptare të Futbollit për sezonin e ri sa i takon Superiores, për ta ditur si do të operojmë më vonë.

E keni fjalën për merkaton, apo çfarë?

Po, pikërisht për mërkaton, që e kemi stopuar për momentin. Siç dihet, kam afruar vetëm lojtarë të rinj të talentuar, por kjo është kushtëzuar nga vendimi i pritshëm i FSHF-së. Nëse do të garojmë në Kategorinë e Parë, atëherë kemi kohë plot, si për fazën përgatitore, ashtu edhe për afrimet. Nuk mund të shpenzoj miliona për të afruar lojtarë Superlige nëse nuk futemi në këtë kategori. Nëse Besa dhe Dinamo do të bëjnë pjesë në Superligë, do të dimë çfarë emrash do të marrim dhe në këtë rast duhet të veprojmë me shpejtësi.

Ndërkohë Besa juaj ka edhe halle të tjera, që nga infrastruktura e deri te financat që duhet të shpenzohen në kohë rekord për merkaton nëse luani në Superligë…

Hallet e Besës në aspektin e shpenzimeve janë të njëjta me të gjitha klubet shqiptare. Kolegët e mi shpenzojnë miliona, duke mos pasur asnjë ndihmë nga shteti. Muaj më parë kryeministri Rama premtoi një reformë në sport dhe ne klubet besuam se më në fund do të kishim edhe ndihmën dhe kujdesin e qeverisë. Fatkeqësisht, deri më sot asgjë nuk ka ndodhur dhe jo vetëm unë, por të gjitha klubet hasin me probleme financiare. Mjafton të shihni se çfarë fati kanë pasur klubet që drejtohen nga bashkitë, ku shembulli ideal mbetet Vllaznia. Të gjithë ne presim çdo ditë që shteti të bëjë realitet premtimet e bëra.

Shihni Kosovën që e aprovoi ligjin për 30%-shin në favor të donatorëve të të gjitha klubeve. Nuk ka logjikë që shteti shqiptar të mësojë nga Kosova, një shtet shumë i ri. Nëse nuk operohet shpejt nga qeveria, ju siguroj se fatin e Luftëtarit do të kenë edhe klube të tjera. Me këto shpenzime super të rritura për të mbajtur në këmbë një ekip futbolli dhe ku përfitimet janë thuajse zero, vështirë se do ketë të tjerë donatorë që t’i afrohen futbollit, përveç nesh.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"