Bizhdili “dajak” Besës, prezanton edhe Bubeqin: Nuk mund t’i thoja ‘jo’ ekipit kavajas, kërkoj… disiplinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2021 | 11:02

Bizhdili “dajak” Besës, prezanton edhe Bubeqin: Nuk mund t’i thoja ‘jo’ ekipit kavajas, kërkoj… disiplinë

Besa nuk humb kohë, zyrtarizon trajnerin e ri. Ka qenë vetë Nexhat Bizhdili që e prezantoi Dorjan Bubeqin para ekipit dje. Trajneri zëvendëson Ndriçim Kashamin, që dha dorëheqjen pas humbjes turpëruese në Burrel. Përpara se të kryhej kjo procedurë, presidenti i ka dhënë një “dajak” të fortë ekipit në analizë. Dhe nuk zgjati pak, por 40 minuta. Nuk ka kursyer askënd dhe ka kërkuar reagim urgjent. “Timonieri” i ri preferoi të bashkëpunonte me të njëjtin staf teknik duke konfirmuar zëvendës Meglid Mihanin, Taulant Gurmën si përgatitës portierësh dhe mjekun Amiljano Bizhdili. Përpara se ekipi të niste seanca stërvitore, Bubeqi në fjalën e tij u ka bërë të qarta futbollistëve kërkesat e tij dhe ka theksuar se nuk do të tolerojë askënd. Disiplina ishte kryefjala e tij dhe për këtë ai nuk ngurroi t’ua theksonte se do të zbatonte rregulloren e klubit. E ndërsa lojtarët nisën ushtrimet parapërgatitore, tekniku i sapoemëruar iu përgjigj pyetjeve të “Panorama Sport”.

Bubeqi

Çfarë ju bindi të pranonit kaq shpejt ofertën e Nexhat Bizhdilit?

E para dhe kryesorja sipas meje mbetet detyrimi moral i çdo trajneri kavajas për t’i ndihmuar ekipet e qytetit të tij të çdo niveli. E dyta, si kavajas që jam më dhemb fati i ekipit të qytetit tim, por edhe sëmundja profesionale.

Sa e keni ndjekur Besën këtë sezon?

I kam ndjekur dy ndeshjet që ka luajtur në Luz. Dua të them se pranova pasi e njoh grupin dhe kam besim. Në të kundërt, askush nuk pranon të drejtojë një ekip të dobët apo që nuk e njeh.

Meqë e njihni grupin, cili është vlerësimi juaj?

Baza e ekipit janë futbollistët me përvojë, madje edhe në Superiore. Pjesë e grupit janë edhe lojtarët e rinj, por nuk është viti i parë që luajnë me Besën. Kështu që jam i bindur se vetëm me punë e disiplinë mund të arrijmë sukses. E përsëris, grupi i lojtarëve është cilësor dhe mundësitë reale janë që Besa të ngjitet në tabelë, aty ku realisht ka mundësitë dhe detyrimin.

Ju e nisët duke këmbëngulur te disiplina që në prezantim.

Themeli i çdo pune, gjithmonë sipas meje, nëse pretendon sukses mbetet disiplina. Vetëm kur secili kryen detyrimet e veta duke nisur nga unë i pari, atëherë punët ecin.

Çfarë nënkuptoni me disiplinë?

Kur them disiplinë, nuk është vetëm korrektësia në orarin e stërvitjes, por ajo në fushë, në zbatimin e detyrave taktike e me radhë. Kur secili bën detyrën e tij, e më pas të gjithë së bashku, atëherë nuk ka arsye që të mos jemi të suksesshëm. Fanella e Besës kërkon nderim dhe është e rëndë, ndaj çdo futbollist duhet ta ketë të qartë se karriera e tij apo mbiemri në fanellë vlejnë shumë më pak se historia dhe emri i Besës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"