Birra dhe ëmbëlsira, zbuloni sekretet e Levangolskit (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 15:54

Birra dhe ëmbëlsira, zbuloni sekretet e Levangolskit (FOTO)

Një kampion të tillë nuk e ndal as COVID-i. Pandemia i mohoi një “Top të Artë” të stërmerituar, por nuk e ndal dot vrullin e Robert Levandovskit. Mishërimi i bomberit modern, polaku është shembull për çdo pykë që kërkon të shkëlqejë. I shkathët me këmbë pavarësisht 185 centimetrave që ndoshta nuk janë shumë, por nuk e pengojnë aspak të ngadhënjejë në shumicën e dueleve ajrore.

leva

524 gola në total në 725 ndeshje si profesionist janë shembulli konkret i efektivitetit të tij. Ky është sezoni i tij i tetë në radhët e Bajernit të Mynihut. Shumë trofe personalë dhe ekiporë, por mungon ai “Top i Artë” të cilit Leva nuk është se ia ndjen shumë mungesën.

ARRITJET E FUNDIT – Një emër që vlen sa një garanci. Robert Levandovski, golashënuesi më i mirë europian i vitit 2021, mori çmimin “Maradona” në ceremoninë e Globe Soçer Awards që u zhvillua në Dubai.

“Ka gjithmonë vend në shtëpi për trofe të rinj. Jam aty ku kam ëndërruar të jem si fëmijë”, deklaronte ai teksa tërhiqte çmimin. Qendërsulmuesi polak shënoi një tripletë në fitoren 4-0 të Bajernit të tij në Këln, sezoni i tij i dytë në ligë. Tre gola që e lejuan të arrinte objektivin e 300 “firmave” në Bundesligë.

Para tij ia kishte dalë Gerd Myleri, golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit gjerman me 365 gola. Këtë sezon ai ka shënuar deri tani 34 gola në 27 ndeshje. Pas këtyre shifrave, ka rregulla shumë specifike diete, por jo vetëm…

r4

DIETA – E nisim nga ushqimi. Bashkëshortja e tij, Ana, është ndër të tjera, dietologe. Prej vitesh ajo vëzhgon çdo gjë që konsumon partneri i saj. Sekreti thuhet se qëndron në “dietën e përmbysur”. E thënë ndryshe, vaktet e Levandovskit nisin me ëmbëlsirë që mund të jetë një brauni me çokollatë të zezë.

Si pjatë e dytë konsumon peshk ose mish dhe në fund gjithçka mbyllet me një supë ose sallatë. Makaronat janë një ushqim që Levandovski e konsumon vetëm në drekë, por përpara se t’i hajë ai shijon disa copa çokollatë të zezë. Sigurisht, ka edhe elementë të ndaluar për të.

Ushqimi i shpejtë dhe të skuqurat bëjnë pjesë në një grup ku ndodhet qumështi i lopës apo prodhimet e brumit me maja. Alkooli, sidoqoftë, nuk përjashtohet, por me sasi të vogla, siç mund të jetë një birrë për të festuar ndonjë sukses.

r2

FITNES – Bashkëshortja e tij, Ana, është trajnere personale, një profesion që e ushtron që nga diplomimi në Akademinë e Edukimit fizik të Varshavës. Ajo është edhe kampione karateje dhe burim këshillash për Robertin.

Burrë e grua stërviten shpesh së bashku dhe aktivitetin e tyre e ndajnë me ndjekësit nëpër rrjete sociale. Një disiplinë e preferuar nga sulmuesi i Bajernit është arkojoga, një kombinim i akrobacive me jogën.

Shpesh Leva argëtohet duke tentuar lëvizje të ndryshme me Anën e tij.

r3

SPORT – Për Levandovskin sporti është gjithçka. Ai është bir sportisti. I ati ishte kampion kombëtar në xhudo dhe njëkohësisht futbollist i Hutnikut të Varshavës. Gjenet nuk gënjejnë. Edhe mamaja e tij pas një karriere të lavdishme si volejbolliste e AZS-së së Varshavës, u bë zëvendëspresidente e federatës polake të volejbollit.

Ndërkohë, Roberti shihte prindërit dhe mësonte. Stërvitje në fushë, por edhe në palestër. Rutina nuk ka ndryshuar as sot. Në shtëpinë e tij ka një sallë force të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për të mbajtur trupin në formë, por me vitet ka gjetur edhe mënyra të tjera aktiviteti.

Noti në det gjatë verës apo shëtitjet në mal gjatë dimrit janë një konstante e jetës së tij. Biçikletat dhe kilometrat e shumtë mbi shalë janë një tjetër pasion të cilin e dëshmon nëpërmjet postimeve të shpeshta në rrjetet sociale.

r1

“DOKTOR LEVANDOVSKI” – NË vitin 2017, ai u diplomua me notë maksimale në degën e edukimit fizik pranë Universitetit të Sporteve në Varshavë. Tezën e tij ia kushtoi vetes dhe e titulloi “Rrugëtim drejt lavdisë”. Ai tregoi të gjitha sakrificat e bëra në karrierë për t’u bërë ai bomber i pamëshirshëm që njohim të gjithë.

Përveç se i përkushtuar ndaj punës, Leva është edhe një besimtar i devotshëm. Në vitin 2014, pas fitores 7-1 të Bajernit të Mynihut kundër Romës, ai përfitoi nga rasti për të bërë një vizitë në Vatikan ku takoi Atin e Shenjtë

r5

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"