“Birhof u soll njësoj edhe me Kahnin në 2006”, presidenti i Bajernit nuk i ndal sulmet ndaj federatës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 14:57

“Birhof u soll njësoj edhe me Kahnin në 2006”, presidenti i Bajernit nuk i ndal sulmet ndaj federatës

Nuk kanë të mbaru ar polemikat për çështjen e portierit në kombëtaren gjermane. Presidenti i Bajernit, Uli Hënes, pasi sulmoi para dy ditësh portierin e Barcelonës, Andre Ter Shtegen dhe federatën gjermane të futbollit, tani ka lëshuar akuza edhe ndaj menaxherit të kombëtares, Oliver Birhof. Hënes i kujton Birhofit se bëri të njëjtën sjellje ashtu si në 2006-ën ku Jens Lehman i zuri vendin Oliver Kahnit në Botërorin e zhvilluar në Gjermani.

uli henes

“E kemi përjetuar edhe njëherë këtë kaos. Kjo ka ndodhur gjatë Botërorit 2006. Oliver Birhof ishte përgjegjës në duelin midis Lehman dhe Kahn. Këtë dua t’ia kursej futbollit gjerman”, u shpreh Hënes për “Bild”. Kujtojmë se atëherë portieri i bavarezëve, Oliver Kahn, humbi vendin e titullarit para se të niste kompeticioni më i rëndësishëm futbollistik në planet. Kjo çoi në konflikt midis dy portierëve, të cilët nuk shkëmbyen më asnjë fjalë me njëritjetrin.

Shkaktarë për këtë gjë u bënë trajneri i asaj kohe, Jurgen Klinsman dhe Oliver Birhof. Ky i fundit mbështeti vendimin e trajnerit duke bërë që Kahn të mos ishte kurrë më ai i mëparshmi. Bajerni në atë kohë kritikoi ashpër Klinsmanin, i cili dha lajmin për portierin vetëm një ditë para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit, kundër Verder Bremenit më 8 prill 2006. Birhof u akuzua gjithashtu se kishte mbajtur anën e Lehmanit jo për arsye sportive.

WCUP WORLD CUP SOCCER GERMANY PORTUGAL

“Më kanë thënë që isha shoqëruesi i dhëndrit në dasmën e Lehmanit dhe se bashkëshortet tona janë shoqe të ngushta”, shprehej Birhof në atë kohë për akuzat. “Është jonormale të mendosh që ne marrim vendimet për të luajtur në Botëror bazuar në miqësitë jashtë fushe”. Bajerni kërkon më shumë mbështetje për Nojerin pasi e cilëson si portierin më të mirë në Gjermani, jo pse luan me kampionët e Bundesligës, por duke u bazuar edhe në performancat me kombëtaren.

Gjithsesi, Birhof iu kundërpërgjigj deklaratave të Hënes duke pretenduar se ato bazoheshin jo në fakte, pasi sipas tij realiteti me Nojerin është krejt ndryshe. “Nuk e kuptoj këtë sjellje. Nojer është prej vitesh numri 1 në portën e Gjermanisë. Ai është kapiteni ynë dhe kështu do të jetë edhe në “EURO 2020”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"