Birçe paralajmëron Partizanin: Më kënaq vetëm fitorja, koha për ndryshim te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2019 | 12:06

Birçe paralajmëron Partizanin: Më kënaq vetëm fitorja, koha për ndryshim te Flamurtari

Flamurtari kërkon fitoren në ndeshjen e sotme me Partizanin. Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri Luan Birçe deklaroi se do ta kënaqnin vetëm pikët e plota.

luan birce

Trajneri vlonjat paralajmëron një ekip sulmues në fushë, ndërsa thekson se i motivon lojtarët me peshën e rëndë të fanellës. Birçe deklaron se ka marrë siguri nga administratori Idrizi se situata do të zgjidhet së shpejti.

Profesor Birçe, çfarë prisni ndaj Partizanit dhe sa shanse ka që Flamurtari të bëjë surprizën? 

I kemi mbyllur të gjitha problemet tekniko-taktike dhe ato fizike. Në kuptimin e përgjithshëm nuk na mbetet gjë peng. Jemi gati që në këtë ndeshje lojtarët më të mirë të jenë në fushë dhe ata të shprehin paraqitjen e tyre më të plotë. Me Partizanin, si çdo skuadër tjetër, ne do të kërkojmë të fitojmë dhe do të japim maksimumin. Na duhen tri pikë, por e rëndësishme është që të mos humbasim.

Pra, do të jeni të kënaqur edhe me një pikë?

Barazimi nuk më kënaq plotësisht. Fitorja do të ishte ajo që do të na kënaqte që të gjithëve për të pasur një ecuri të përgjithshme.

Rrapaj gjithë javën ka qenë tek U-19. Do të jetë gati për Partizanin?

Rrapaj do të kthehet sot (dje) në Vlorë. Do të jetë në dispozicion të ekipit. Ekipi kombëtar është krenaria e çdo shqiptari. Do t’i japim mundësi atij djali që të perfeksionohet, edhe me Flamurtarin, edhe me ekipin kombëtar. Por, ndeshja jonë ka rëndësi dhe ne do t’ia bëjmë hyzmetin. Do të jetë edhe në formacionin tonë. Do të luajë.

Si është përgatitur ekipi dhe çfarë Flamurtari do të shikojmë përballë Partizanit?

Lojtarët janë të përqendruar. Reagojnë në mënyrën më të mirë. Jemi përpjekur që të luajmë në një formë tjetër. Të jemi të përqendruar në mesfushë dhe pas kësaj të sulmojmë me tre-katër sulmues në mënyrë të rrufeshme.

Çfarë ju motivon në këtë situatë të vështirë?

Na motivon shumë fanella. U kam thënë edhe djemve që fanella e Flamurtarit është shumë e rëndë dhe duhet të jenë krenar për të. Do të luajnë për veten e tyre, për tifozët, për fanellën, për gjithçka. Nuk jemi dorëzuar, do të vazhdojmë të kërkojmë pikë dhe të vazhdojmë kampionatin me dinjitet.

Keni biseduar së fundmi me Idrizin dhe a ju ka dhënë garanci për të ardhmen?

Presidenti është në pozicionin e tij, ne jemi në pozicionin tonë. Vazhdojmë të luajmë futboll, pavarësisht problemeve. Zgjidhja do të jetë e afërt, sipas presidentit. Ne kemi besim të plotë tek ai.

Cilët janë lojtarët që mungojnë dhe sa jua prishin planet?

Janë disa mungesa që kanë qenë edhe në vazhdim, në javët e mëparshme. Alternativat nuk mungojnë. Do t’u jepet mundësia edhe të tjerëve. Me këtë rast edhe ata i motivoj që të japin më të mirën e tyre. Nuk kemi përfunduar asgjë me 11-shen që do të hedhim në fushë. Deri nesër (sot) me kismet të Zotit vendosim gjithçka.

Çfarë u keni thënë lojtarëve përpara kësaj ndeshjeje? 

U them vazhdimisht që duhet ta fitojmë ndeshjen, duhet të përqendrohemi vetëm te takimi, si dhe duhet të marrim tri pikët. Ndeshjet ikin, ne po mbetemi në vend, kështu që nuk ka më kohë. Duhet të përmirësohemi në tabelë të klasifikimit.

Me vendosjen tuaj në krye të pankinës ekipi ka ndryshuar. Si e komentoni këtë gjë?

Mendoj se është në mentalitetin e çdo futbollisti, që kur ka ndërrim trajnerësh ka një reagim. Ndoshta është kjo më tepër.

Luhet në Vlorë. Keni një mesazh për tifozët? 

I ftoj që tifozët të jenë në stadium, si gjithmonë. Të përkrahin skuadrën e tyre të zemrës, të jenë sa më afër. Të jemi të gjithë bashkë edhe për ndeshjen e së dielës.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"