Binjakëzim me klub kroat dhe vend për legjendat, Vllaznia drejt transformimit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2020 | 23:55

Binjakëzim me klub kroat dhe vend për legjendat, Vllaznia drejt transformimit (E PLOTË)

Te Vllaznia ka një valë të re ndryshimesh. Ato nuk janë thjesht në burime njerëzore, por edhe në strategji, që pritet që të sjellin risi në klubin shkodran. Me ardhjen e sponsorit Alban Xhaferi, mësohet se klubi shkodran është pranë binjakëzimit me atë kroat, Rijeka.

vllaznia-3-770x470

Bëhet fjalë për një bashkëpunim dhe asistencë të plotë teknike mes dy klubeve, prandaj dhe jo më kot Vllaznia ka zgjedhur si drejtor kroatin Matko Djarmati, i cili është njëkohësisht bashkëpunëtor i Rijekës. Këtë binjakëzim e ka konfirmuar vetë sponsori Xhaferi.

“Ne kemi bërë një marrëveshje bashkëpunimi me klubin kroat të Rijekës. Aktualisht akordi është drejt finalizimit, sepse mësohet se është bërë drafti gati dhe mbeten vetëm detajet e fundit. Klubi Rijeka është ndër më të njohurit në Kroaci dhe vetëm pak ditë më parë fitoi Kupën.

Është një klub me buxhet shumë të madh dhe eksperiencë të jashtëzakonshme. Ata do na asistojnë në formën e këshillimit nga ana teknike. Drejtori i ri sportiv, Matko Djarmati, erdhi si rezultat i këtij bashkëpunimi”.

RRAGAMI-HAFIZI
Në kuadër të ndryshime që priten të ndodhin në klubin shkodran, një pjesë ka të bëjë edhe me organizimin e Këshillit Mbikëqyrës të klubit. Shoqëria aksionere tashmë ka një këshill të ri. Prej pak ditësh ai është emëruar dhe njëkohësisht është regjistruar konform ligjit në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ajo që bën përshtypje është se pjesë e këtij këshilli janë edhe emra të mëdhenj të futbollit shkodran dhe atij shqiptar.
rragami-653x420
“Vllaznia po shkon drejt funksionimit normal në të gjitha hallkat e sij dhe besoj se edhe ecuria do të jetë shumë e mirë. Mund t’iu bëj të ditur se pjesë e Këshillit të ri. Mbikëqyrës është edhe Ramazan Rragami, i cili aktualisht ndodhet në SHBA, por shpejt do ta kemi këtu për të ushtruar funksionin e tij.
astrit hafizi
Po ashtu, pjesë e këshillit do të jetë edhe një tjetër emër i madh, si Astrit Hafizi. Të tjerët do jenë Shpetim Quku dhe Beniamin Nako, që kanë qenë edhe pjesë e Këshillit të kaluar. I pesti që plotëson pesëshen është sërish një emër shumë i njohur dhe i suksesshëm, presidenti i Vllaznisë së femrave, Lazër Matija. Këta persona do të ushtrojnë jo vetëm funksionin e tyre si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, por do të jenë edhe konsulentë teknikë për punën tonë dhe padyshim që do të jenë një vlerë e shtuar e shoqërisë aksionere ‘Vllaznia'”, ka zbuluar Alban Xhaferi.

TRAJNERI I RI
Në kampin shkodran pritet që të nisin edhe lëvizjet e para për sa i përket emrave që do të afrohen dhe atyre që do të largohen. Megjithatë, çdo gjë do të fillojë me pankinën, ku Hysen Dedja, që mbylli sezonin, ka pak gjasa që të vazhdojë të jetë trajner i parë. Kontrata e tij përfundoi dhe palët nuk dihet nëse janë ulur në bisedime. Së fundmi ka dalë në skenë për pankinën emri i ish-sulmuesit shkodran që jeton prej vitesh në Austri, Auron Miloti. Por gjatë këtyre ditëve nuk përjashtohet edhe mundësia që ndonjë emër tjetër t’i shtohet kandidaturave të para. Ndërsa për sa u përket lojtarëve, për afrimet do të vendoset vetëm pas emërimit të trajnerit. Ai dhe drejtori sportiv pritet që të mundësojnë krijimin e Vllaznisë së re. Nga lojtarët që u ka përfunduar kontrata, nga sa mësohet, vetëm me disa prej tyre drejtuesit e klubit kanë nisur të diskutojnë për të ardhmen, ndërsa me të tjerë nuk ka ende kontakte. Brenda kësaj jave priten zhvillime të rëndësishme në klub, pasi drejtuesit po punojnë fort.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"