“Binin në tokë me të marrë frymë”, te Liverpuli akuzojnë lojtarët e Atletikos: Duhej arbitër i fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 22:17

“Binin në tokë me të marrë frymë”, te Liverpuli akuzojnë lojtarët e Atletikos: Duhej arbitër i fortë

Jyrgen Klop nuk është dakord me mënyrën se si trajneri polak Simon Marciniak e menaxhoi Atletiko-Liverpul në Madrid dhe i premton Simeones një furtunë të vërtetë të skuadrës së tij në “Anfield”. 

5e4ce7150f25442c78c8d1a6

Trajnerit të kampionëve të Europës i la një shije të hidhur taktika e “Los Colchoneros” duke u shtrirë në rastin më të parë dhe ai u ndëshkua me karton të verdhë për protesta ndaj arbitrit të katërt. Goli i Saul në minutën e katërt i nxehu gjakrat në skuadrën e anglezëve, të cilët u larguan nga “Metropolitano” me humbjen 1-0 në duelin e parë të 1/8-ave.

I pyetur për atmosferën që spanjollët do të presin në ndeshjen e kthimit më 11 mars, gjermani tha: “Mirë se të vinë në ‘Anfield’, nuk ka mbaruar ende. Por në të tilla ndeshje duhet me të vërtetë një arbitër i fortë, sepse ndodhën shumë gjëra. Atyre u rrëzoheshin tre lojtarë në fushë për të marrë pak frymë. Manenë na e vunë në shënjestër dhe kjo ishte e qartë. Ai luajti shumë mirë një pjesë të parë, por ata donin që ai të merrte kartonin e dytë të verdhë, prandaj e zëvendësova. Kisha frikë se nëse Sadio do të merrte frymë, lojtarët e Atletikos do të rrezoheshin. Por unë e meritova kartonin tim të verdhë”.

VAN DAJK – Virxhil Van Dajk pret një tjetër qasje të Atletikos së Madridit në “Anfield” muajin e ardhshëm, ku kampionët e Europës do të synojnë përmbysjen e humbjes 1-0 në “Vanda Metropolitano”. I pyetur nga mediat angleze në fund të ndeshjes për ndërprerjet e shpeshta të lojës, qendërmbrojtësi holandez tha:

“Po, por unë mendoj se ky është stili i lojës së tyre. Është pak futbolli spanjoll dhe duhet të përshtatesh, por ne e dinim se çfarë na priste dhe mendoj se e menaxhuam me të vërtetë mirë. Pësuam një gol nga një goditje këndi, me rastin e parë të Atletikos, që nuk ishte as shans, por erdhi me pak fat. Mesazhi në pjesën e parë ishte që të vazhdonim të luanim dhe të mos dorëzoheshim.

Megjithatë, kemi ende edhe 90 minuta të tjera për ta korrigjuar këtë rezultat. Edhe Endrju Robertson u lëshoi një shigjetë rivalëve: “Ishte e vështirë për arbitrin për të menaxhuar atmosferën, por pas 30 minutave tre lojtarë të Atletikos ishin të shtrirë në fushë pa qenë të dëmtuar. Arbitri duhet ta ndiejë ndeshjen pak më shumë”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"