Binguila rrezikon 10 ditë jashtë, por Tirana ka gjetur sulmuesit e munguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2017 | 22:23

Binguila rrezikon 10 ditë jashtë, por Tirana ka gjetur sulmuesit e munguar

Dikur vuanin për golin, por historia ka nisur të ndryshojë. Kanë mjaftuar 5 ndeshje zyrtare, për të rikthyer shpresën në kampin bardheblu. Dhe shifrat nuk gënjejnë kurrë, pasi në 450 minuta (përfshijmë këtu Superkupë, Kupë dhe kampionat) bilanci rezulton realisht i kënaqshëm.

Ngo

Nëntë gola të shënuar dhe vetëm një i pësuar, dëshmojnë se Tirana është në rrugën e duhur për t’i dhënë fund krizës në finalizim. Por ajo që shton më shumë besimin, është zbulimi i “bomberave” që mungonin prej vitesh. Dy lojtarët kryesorë të sulmit, e kanë gjetur 5 herë rrjetën së bashku.

sentamu

Tre gola mbajnë “firmën” e Majkëll Ngoo, ndërsa 2 të tjerë i takojnë Junus Sentamu. Garancia rritet, kur sheh që ndeshjen mund ta zgjidhin edhe lojtarë që luajnë më të tërhequr. Tashmë, kryeqytetasit kanë në organikë elementë që të japin fitoret dhe rasti konkret është ai i Erando Karabecit me Besën në Kupë apo i Toni Mavejes ndaj Ilirisë në kampionat.

maveje tirana

Por jo vetëm, pasi edhe mbrojtja ka “artileri” të rëndë, që veç detyrave në prapavijë, dinë të japin edhe trofe. Kështu veproi Erjon Hoxhallari, që i dha Tiranës Superkupën me atë supergol. Situata duket premtuese, dhe nëse vijohet me këtë ritëm, Tirana jo vetëm që nuk do të diskutojë ngjitjen e menjëhershme, por i hap rrugën vetes për të pasur një sulm efikas edhe në Kategorinë Superiore.

hoxhallari

Bardheblutë ranë nga kategoria pikërisht prej “shterpësisë”. Kujtojmë që në sezonin e fundit, fituan vetëm 8 ndeshje, barazuan 15 dhe humbën 13. E gjetën vetëm 29 herë rrugën e golit dhe pësuan plot 32, golavarazh ky që u shoqërua edhe me atë vendim drastik.

Megjithatë, ky është vetëm fillimi. Tashmë dyshes Ngoo-Sentamu nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të kenë vazhdimësi dhe të kthehen në një makineri golash për ekipin më titullar në Shqipëri.

tirana

Duhet thënë që gjigandi anglez nuk ka bërë asnjë ndeshje të plotë si bardheblu, dhe me lojën e tij, nuk është se bën mrekullira në fushë, por kur vjen puna te golat, nuk fal. Deri më tani, ai është shënuesi më i mirë i kryeqytetasve.

Dëmtimet – Hardi Binguila nuk u stërvit dje. Mesfushori kongolez qëndroi në pankinë, ndërsa pritet që sot të kryejë rezonancën magnetike. Kujtojmë se ai e la fushën e dëmtuar, pasi ndjeu shqetësime në kofshë. Dhe shenjat e para flasin për një tërheqje muskulore.

Bingulia

Dhe nëse është kështu, atij do i duhet që të qëndrojë të paktën 10 ditë larg fushave. Ky fakt shqetëson jo pak Ze Marian, i cili kishte menduar që t’i jepte minuta edhe për ndeshjen me Naftëtarin, megjithatë e ditur është që ai është mungesë e sigurt për këtë të shtunë.

Gjithsesi, pauza e Kombëtares është një “bonus” për mesfushorin kongolez, çka do të thotë që nuk do të  humbasë shumë. Gjithsesi, diagnoza e saktë do të merret, vetëm pas të kryhet kontrollet e specializuara.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"