Bindin Ignat dhe Rodriges, Vllaznia i “blindon”. Shkodranët nisin të marrin formë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2018 | 10:06

Bindin Ignat dhe Rodriges, Vllaznia i “blindon”. Shkodranët nisin të marrin formë

Vllaznia po merr formë. Renato Malota ka “zbarkuar” dje në Shkodër për t’u takuar me drejtuesit dhe duket se bisedimet janë mbyllur me sukses. Qendërmbrojtësi ka diskutuar rreth detajeve të fundit të kontratës dhe vetëm sot mendohet që do të nisë stërvitjen. Por duhet thënë që nuk është i vetmi që mund të përfshihet në listën e afrimeve, pasi kanë kaluar zyrtarisht provën dy të huaj.

vllaznia

Rumuni Dan Ignat dhe braziliani Silvio Rodriges kanë marrë OK-in e Hasan Likës. Qendërmbrojtësit po i bëhet gati marrëveshja, ndërsa sulmuesi mësohet se ka mbyllur tashmë gjithçka. Paraqitjet e tyre në miqësoret e fundit kanë qenë më shumë se bindëse, ndaj edhe drejtuesit nuk kanë vonuar që të nisin negociatat për t’i blinduar. Në kësi kushtesh, dy nga repartet më problematike po marrin zgjidhje. Qendra e mbrojtjes do të ketë më shumë siguri me dyshen Ignat-Malota, ndërsa golat tashmë priten prej Rodriges. Por ofensiva nuk do të lihet vetëm me kaq, pasi klubi ka arritur akordin me një nigerian.

Emri mbahet ende i fshehtë prej drejtuesve, pasi janë duke mbyllur disa detaje të fundit, për të shkuar drejt finalizimit të marrëveshjes. I vetmi nga “ekstrakomunitarët” që ka mbetur pezull është brazilianit tjetër, Darlan Dos Santos Kardoso, i njohur me nofkën “Ferrari”. Mesfushori ka qenë larg pritshmërive, ndaj gjasat janë që të kthehet andej nga erdhi. Por nga lojtarët që janë testuar këto ditë, pezull janë edhe tre të tjerë. Zeqja, Bilali e Zogaj kanë marrë një lloj forme konfirmim nga klubit, por ende nuk janë prezantuar si blerje.

Drejtuesit janë duke shpresuar që nga Kategoria Superiore të mbetet ndonjë “yll” pa ekip dhe do bëhen gati për ta përvetësuar. Një çështje më vete mbetet ajo e titullarëve që ende nuk kanë pranuar që përgjysmim page. Me mbylljen e gushtit, shkodranëve iu dogj shansi i transferimit, ndaj shanset që të pranojnë ofertën e klubit sa vijnë edhe rriten.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"