Bind sulmi te Besëlidhja, 4 lojtarë nisin “garën” për golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 23:32

Bind sulmi te Besëlidhja, 4 lojtarë nisin “garën” për golat

Pas skualifikimit nga Kupa e Shqipërisë, Besëlidhja është përqendruar tërësisht te kampionati dhe misioni mbetet vetëm ngjitja. Lezhjanët e kanë nisur më shumë se mbarë sezonin, duke arkivuar 6 pikë në 180 minuta dhe me një golavarazh mbresëlënës prej 9 golash të shënuar dhe 3 të pësuar.

Beselidhja-goli

Fitoren e parë ia morën Vorës në shtëpi me shifrat 3-1 dhe më pas në Pezë turpëruan Partizanin B me rezultatin 2- 6. Armando Gega është rreshtuar tashmë krahas goleadorëve me tre gola të shënuar, por veç tij Sinan Bardhi ka nën urdhra të tjerë lojtarë cilësorë në ofensivë. Ata kanë treguar cilësi para portave të kundërshtarëve dhe mund të thuhet pa frikë që ka një garë edhe për titullin “goleador”.

Përveç Gegës, këtë e lakmojnë edhe sulmuesi shkodran Arsen Hajdari dhe ai kavajas Edmond Hoxha që sezonin e shkuar shënoi 12 gola, por edhe mesfushori serb Milan Gjorgjeviç. Të katër këta futbollistë synimin e tyre e kanë deklaruar në prononcimet publike. Lufta për këtë titull nga 4 futbollistë titullarë të Besëlidhjes është një kambanë që paralajmëron një skuadër agresive, e cila kërkon me çdo kusht ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Në Lezhë duan t’i japin fund makthit 12-vjeçar, që e ka detyruar të shkruajë rekordin “e zi” në historinë 90-vjeçare të klubit Besëlidhja.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"