Bind futbollisti grek, Skënderbeu “kalon” Atlantikun në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 11:22

Bind futbollisti grek, Skënderbeu “kalon” Atlantikun në merkato

Skënderbeu është pranë zyrtarizimit të një tjetër afrimi në këtë merkato të janarit. Pas një periudhe prove disajavore, duket se greku Jorgos Andoniadhis ka mundur të bindë stafin bardhekuq dhe trajnerin Migen Memelli se është lojtari, që mund t’i japë një ndihmë bardhekuqve në pjesën e mbetur të sezonit. 22-vjeçari, që ka luajtur sezonet e fundit në kategorinë e dytë greke, duket se ka treguar cilësi të mira në seancat stërvitore duke arritur të lërë shenjë në kampin bardhekuq.

SKENDERBEU

Pritet që Andoniadhis të jetë afrimi i tretë gjatë kësaj merkatoje, teksa zyrtarizimi i lojtarit do të vijë në ditët në vijim. Nga sa bëjnë me dije burimet pranë klubit, trajneri Migen Memelli është bindur se afrimi i grekut mund të sjellë cilësi dhe alternativa për ekipin që drejton, ndaj u ka kërkuar drejtuesve të klubit mbylljen e marrëveshjes. Nga sa bëhet me dije, Andoniadhis pritet që të firmosë në Korçë një kontratë dyvjeçare.

Të njëjtat burime treguan për “Panorama Sport”, se ajo që kishte bindur Memellin për të kërkuar akordin me 22-vjeçarin, veç cilësive dhe formës së mirë të grekut ishte edhe fakti se ai mund të mbulojë disa pozicione duke u kthyer në një xhol për bardhekuqtë. 22-vjeçari grek, Andoniadhis luan në pozicionin e tij natyral si mesfushor me tipare mbrojtëse i përshtatshëm për të bërë rolin e shkatërruesit, ndërsa mund të përdoret edhe si një mbrojtës në rreshtimin me 5 mbrojtës, që përdor Skënderbeu.

Pavarësisht tri afrimeve, korçarët duket se do të vijojnë të jenë aktiv për të kompletuar më tej ekipin. Nga sa bëhet e ditur nga burimet në klub, drejtuesit e merkatos së Skënderbeut janë duke kërkuar alternativa të tjera në Brazil. Bëhet fjalë për një mbrojtës të majtë dhe një sulmues. Këta dy lojtarë duket se mund të jenë edhe kërkesat e trajnerit. Për momentin nuk ka emra në listë, por burimet tregojnë se janë disa futbollistë brazilianë, që po monitorohen përmes videove. Për momentin Skënderbeu ka bërë tri afrime në merkato, ku veç grekut Annoniadhis ka arritur më herët të firmosë edhe me Frashërin dhe Aliin.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"