Biletë me numërim mbrapsht, risia e finales së Tiranës/ Procedurat që do ndjekin tifozët për t’u futur në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 20:17

Biletë me numërim mbrapsht, risia e finales së Tiranës/ Procedurat që do ndjekin tifozët për t’u futur në stadium

Tirana do të presë më 25 maj finalen e Ligës së Konferencës dhe janë shumë qytetarë shqiptarë që kanë përfituar një biletë për të ndjekur nga afër sfidën Roma-Fejnord.

air albania

Një event i këtyre përmasave ka edhe disa specifikime te pjesa e biletave, duke filluar nga parandalimi për një rishitje në treg të zi apo falsifikimi që mund të bëhet. Ka disa procedura që tifozët duhet t’i ndjekin për të hyrë në stadium, ndryshe nga ndeshjet e tjera që janë zhvilluar në “Air Albania”.

INFORMACIONI PËR BILETAT

Tifozët duhet të tregojnë biletën elektronike dhe “steward”-ët do ta çekojnë me një aparaturë të veçantë, kur edhe do të nisë aktivizimi i saj. Që prej aktivizimit, do të nisë edhe numërimi mbrapsht për t’u futur në stadium. Bëhet e ditur që koha është e mjaftueshme për t’u ngjitur në katin e dytë, ku tifozët duhet të drejtohen për te “turnstile”, ku nga ato do të hyjnë direkt në stadium.

Nëse ata do të hasin vështirësi, do të ketë një personel nga UEFA, por edhe forca vullnetare, që do të vihen në ndihmë për çdo problem. E veçanta është se për herë të parë në këtë stadium aplikohet bileta elektronike. Kjo biletë është aplikuar me sukses gjatë “Euro 2020” dhe për këtë arsye ekspertët e sigurisë së UEFA-s vendosën ta aplikonin edhe për këtë ndeshje.

Me sistemin e ri të biletave elektronike që çdokush do ta ketë në telefonin e tij smart, shansi për t’u futur pa biletë është minimizuar ndjeshëm, pasi në momentin që afrohesh te “turnstile”, bileta aktivizohet vetëm me aparaturë të posaçme dhe në rast se bileta mund të jetë “screenshot”, pajisja nuk e njeh.

UEFA, MASA PËR RISHITJEN E BILETAVE

Autoriteti më i lartë i futbollit europian është ndalur te konstatimi i rishitjes së biletave për herë të dytë ose të tretë nga ana e personave që i kanë blerë në faqen e saj, duke theksuar masat që do të merren në këto situata, me njoftimin që është publikuar edhe nga faqja zyrtare e FSHFsë.

Teksa UEFA e kupton se do të ketë tifozë që nuk kanë pasur sukses në aplikimin e tyre për të blerë bileta, njëkohësisht i këshillon fuqimisht këta tifozë të mos udhëtojnë në finale pa bileta ose të blejnë bileta në tregje dytësore.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"