Bilanci negativ i fazës së parë, Besa merr vetëm 1 pikë në 4 ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2017 | 17:30

Bilanci negativ i fazës së parë, Besa merr vetëm 1 pikë në 4 ndeshje

Në fillim të këtij sezoni, tifozët kavajas ishin optimistë se ky do të ishte viti i Besës. Rikthimi i presidentit Nexhat Bizhdili u besua se do t’i ndryshonte gjërat. Po që në start, mënyra sesi u afruan lojtarët, dëshmoi një nisje jo bindëse.

Tashmë kur është mbyllur faza e parë, duhet pranuar se nga rezultatet, kjo Besë nuk ka ndonjë dallim nga ato të viteve të shkuara. Në 9 sfidat e zhvilluara të fazës së parë, verdhezijntë kanë pësuar plot 4 humbje, ku dy nga këto brenda në Kavajë, me Egnatian dhe Kastriotin. Veçanërisht, humbja shokuese 1-5 me Egnatian ishte sinjal i qartë se ky grup nuk bind.

besa

Statistikat – Në transfertë verdhezijntë gjithashtu pësuan humbje në Lezhë e Shkodër. Me këta tregues, kavajasit me 13 pikë të grumbulluara ose 48% të totalit, zhgënjyen jo pak. Mjafton të përmendim faktin tronditës se në 4 javët e fundit ekipi ka arritur të marrë vetëm 1 pikë, atë të barazimit të fundit në Peshkopi. Fajtorë për këtë situatë janë të gjithë duke nisur nga Presidenti Nexhat Bizhdili, stafi teknik e deri te futbollistët që janë aktorët kryesorë. Ajo që të lë shije të hidhur, mbetet fakti se pavarësisht rezultateve negative duket se askush nuk mban përgjegjësi për këtë situatë.

Shfajësimi me termat se kaq mundësi kemi dhe ky është grupi, nuk ligjëron kujdesin e Bashkisë së Kavajës dhe financimeve që janë bërë për ndërtimin e këtij grupi. Faza e dytë nis përsëri me një tjetër transfertë, atë ndaj Dinamos në Pezë. Në këtë takim, verdhezinjtë do të kërkojnë t’u japin fund rezultateve negative dhe të marrin fitoren. Ndërkaq, pritet që në janar të ketë ndërhyrje dhe të bëhen ndryshime për sa i përket lojtarëve

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"