Bie frika e transferimit të Merveil, mesfushori është zyrtarisht “spanjoll”
Lojtarët nga tregu shqiptar kanë bërë transferime të ndryshme, mirëpo Merveil u bë i pari që do të katapultohet drejt La Ligas. Bardheblutë kanë përfituar shifrën më të lartë nga shitja e një lojtari, ndonëse Merveil gjendet prej disa ditësh në Shqipëri, edhe pse transferimi është mbyllur.
Gazeta është interesuar dhe burime pranë klubit kryeqytetas kanë zbardhur edhe detajet që kanë shtyrë largimin e mesfushorit drejt Spanjës.
TRANSFERIMI – Është zyrtare. Merveil mund të konsiderohet një futbollist i Getafes. Burime të besueshme të gazetës pranë klubit kanë bërë me dije se transferimi është kryer dhe Merveil nuk është më pjesë e kryeqytetasve.
Lojtari është ende në Shqipëri për shkak të disa procedurave ligjore që kanë të bëjnë me udhëtimin e tij. Merveil është parë në stadium për të ndjekur Tiranën në tri ndeshjet miqësore që janë zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi” kundër Lirisë së Prizrenit, kundër Dinamos dhe kundër Laçit.
VONESA – Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i Tiranës disa ditë më parë bënte me dije se po e pret me padurim që t’i bashkohet skuadrës së re. Mirëpo, ai gjendet ende në Shqipëri dhe diçka e tillë do të ndodhë deri në fund të këtij muaji.
“Panorama Sport” ka mësuar se vonesa e largimit të Merveil nga Shqipëria ka ardhur për shkak se ka qenë e pamundur pajisja e tij me vizë. Në këto kushte, ai është duke pritur që të pajiset me një leje qëndrimi në Spanjë dhe me një leje pune. Dokumente të nevojshme që do t’i mundësojnë atij që të mund të jetë një futbollist profesionist i skuadrës spanjolle të Getafes.
OLSI TUJANI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"