Bicaj: Refuzova Shkëndijën e Tetovës për projektin e Idrizit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2017 | 18:00

Bicaj: Refuzova Shkëndijën e Tetovës për projektin e Idrizit

Ditmar Bicaj është goditja e parë e Flamurtarit të sezonit 2017-2018. Mbrojtësi lezhjan firmosi dje një kontratë njëvjeçare, duke zyrtarizuar kështu edhe hapjen e merkatos së klubit vlonjat.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi Bicaj tha se për ardhjen në Vlorë e bindi trajneri Duro dhe projekti ambicioz i kuqezinjve. 28-vjeçari tha se për Flamurtarin refuzoi ofertën e Shkëndijës së Tetovës, ndërsa ndalet edhe te periudha e vështirë që ka kaluar në karrierën e tij si futbollist.

bicaj flamurtari1

Çfarë e bindi Bicajn që të vinte në Vlorë?

Për të ardhur te Flamurtari më bindi projekti nga administrator Idrizi, por edhe trajneri Shpëtim Duro, të cilin e kam njohur që me moshat, si dhe te Skënderbeu. E di që Flamurtari ka kaluar dy vite shumë të vështira, sepse ka luftuar për mbijetesë, por në sezonin e ri do të jetë një ekip për vendet e para në kampionat dhe për në Europë.

Shehi dhe Bici e te tjere ne stervitje

Pra, në ardhjen tuaj te Flamurtari ka insistuar edhe trajneri Duro?

Patjetër, trajneri Duro ka qenë i pari që më ka kontaktuar dhe që më bindi që bëhesha pjesë e projektit të Flamurtarit, për shkak të pretendimeve që do të ketë klubi në sezonin e ri.

Keni tentuar që të vini në Vlorë edhe më parë. Pse nuk u realizua?

Herën e parë erdha në janar te Flamurtari, por dokumentacioni nga Irani nuk kaloi në kohë. Por tani jam i lumtur, pasi atë që nuk e arrita para dy vitesh e realizova sot (dje) duke u bërë pjesë e Flamurtarit. Unë e pranova me kënaqësi ofertën. Kisha edhe kërkesa nga klube të tjera, por nuk mund t’i thosha jo Flamurtarit për shkak se nuk erdha dy vite në parë.

Bicaj

A ka pasur ndonjë klub tjetër që ju ka tentuar?

Kanë qenë disa klube të interesuara për mua. Sot (dje), në momentin që po firmosja me Flamurtarin, drejtuesit e Shkëndijës së Tetovës më bënë një ofertë, por unë e refuzova. Në momentin që firmosa, nuk dua që ta kthej më kokën se kush i bie telefonit.

Kukesi-Kairat 0-0, Smajli, Bicaj dhe Allmuca

Jam i lumtur që vij në Vlorë, pasi Flamurtari ka qenë një klub që ka furnizuar edhe ekipet kombëtare, që nga moshat e deri te skuadra e parë. Flamurtari ka qenë akademi për futbollin shqiptar.

Nëse nuk do të kishit firmosur me Flamurtarin, do ta pranonit ofertën e Shkëndijës?

Jo, nuk do ta pranoja. Të jemi realistë, jemi në periudhë merkatoje dhe çdo ekip ka ofertat e tij. Ka qenë periudhë jo e qetë për mua dhe vendosa të vija në Vlorë dhe këto ditë pushimi t’i kaloj i qetë.

Pse nuk keni qenë i qetë në këtë periudhë?

Them se nuk qenë një periudhë e qetë, pasi siç e dini unë kam një çështje gjyqësore të hapur për pagat e pashlyera nga Traktor Sazi në Iran. Trajneri që kam patur te Traktor Sazi dhe që ka shkuar te Mashin Sazi më kërkoi te ky ekip.

bicaj

Por dy ditë përpara se kampionati të fillonte Federata e Iranit më refuzoi kartonin, pasi unë kisha një gjyq të hapur atje dhe nuk mund të vazhdoja me një ekip tjetër derisa të zgjidhet çështja gjyqësore. Këto janë rregullat e Iranit, të cilat janë ndryshe nga tonat. Kjo bëri që unë të vija te Vllaznia në momentet e fundit.

Sa është shuma që klubi iranian ju detyrohet?

Unë gjyqin e kam fituar me Traktor Sazin. Është një shumë e madhe që më detyrohen dhe që unë pres ta marr.

Po nga kampionati shqiptar keni pasur oferta?

Këto ditë kam pasur kontakte edhe nga një klub shumë i njohur dhe pretendent i kampionatit shqiptar, të cilin nuk dua ta përmend.

Bicaj

Po ashtu kam pasur kontakte edhe nga Vllaznia. I falënderoj drejtuesit e Vllaznisë dhe kam marrëdhënie shumë të mira me ata, por unë dua të jem pjesë e një klubi që ka pretendime madhore, siç janë kampionati dhe Kupat e Europës.

Përse nuk qëndruat te Vllaznia?

Jam ndarë shumë mirë si me drejtuesit, administratorin e Vllaznisë dhe kryetaren e bashkisë. Por unë dua të jem në një ekip për trofe dhe për Europë. Ky vit që u mbyll nuk ka qenë i mirë për mua, pasi me Vllazninë vuajtëm për mbijetesë.

Bicaj vs Xhejms

Unë kam qenë gjithmonë në karrierën time në ekipe pretendente për titull dhe Europë dhe nuk e kam pritur mirë situatën te Vllaznia. Pikërisht për shkak të projektit pompoz që ka, unë zgjodha Flamurtarin. Shpresoj që të realizohet.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"