Bicaj “provokon” korçarët: Kthesën e bëjmë me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2018 | 18:50

Bicaj “provokon” korçarët: Kthesën e bëjmë me Skënderbeun

Tri ndeshje në katër ditë rezervon kalendari për durrsakët, të cilët e nisin pikërisht të mërkurën për Kupë me Turbinën, më pas të shtunën kundër Skënderbeut në “Niko Dovana”. Humbja e thellë në Gjirokastër ka lënë një shije të hidhur, duke nxjerr në pah dobësi në lojën e Teutës.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi Ditmar Bicaj flet për arsyet e dështimit ndaj Luftëtarit, ndërsa beson se kthesa e durrsakëve do të vijë që këtë javë kundër kampionëve në fuqi.

ditmar bicaj

Teuta pëson humbjen e dytë radhazi, Luftëtari jo vetëm ju mundi, por shënoi edhe tre gola. Si e komentoni?

Deri përpara ndeshjes në Gjirokastër ishim mbrojtja që kishim pësuar vetëm një gol në katër ndeshje, normal që pesha e pësimit i të tre golave bie mbi ne dhe kjo na shqetëson. Jo vetëm reparti i mbrojtjes, por të gjithë ne futbollistët e vuajmë këtë gjë, pasi Teuta ka kryer merkato shumë cilësore dhe pritet shumë prej saj në këtë sezon. Koha nuk është në favorin tonë, por nuk mund të qahemi, prandaj duhet të punojmë fort dhe të shpërblejmë besimin e presidencës që na ka qëndruar shumë pranë e të kthejmë sërish Teutën te fitorja.

Mund të bënte më mirë skuadra pas pësimit të golit të parë?

Ajo ndeshje është një peng shumë i madh për mënyrën si shkoi. Pësuam tre gola dhe ndeshja pas pësimit të golit të parë nuk shkoi siç ne donim. Nuk ishte e shkruar që ne të merrnim rezultat pozitiv…

Ndeshja e radhës në kampionat është pikërisht ndaj Skënderbeut…

I madh bëhesh me të mëdhenjtë… Ndaj Skënderbeut normalisht do të jetë një ndeshje shumë e fortë, është një skuadër me cilësi dhe që kryeson për momentin, por megjithatë nuk janë të pathyeshëm. Ndaj Tiranës treguan luhatje, kanë problemet dhe defektet e tyre dhe ne do të përpiqemi të përfitojmë nga këto. Meritojnë respekt, por ne nuk i trembemi askujt, as Skënderbeut, dhe e vetmja detyrë e jona është të rikthehemi te fitorja.

Partneriteti me Osmanin në qendër të mbrojtjes, si ndiheni?

Me Osmanin kuptohem shumë mirë, ka shumë eksperiencë dhe kjo na ndihmon të gjithëve, jo vetëm mua. Është kapiteni ynë, me shumë personalitet dhe me shume vite mbi supe dhe kjo më gëzon shumë ta kem partner në repartin e mbrojtjes.

Javën e kaluar kishit shqetësime, si ndiheni tani?

Ishte një lëndim për fat i vogël, të cilin tani e kam lënë pas dhe jam në formën time më të mirë. Tani dua të punoj sa më shumë që të jap maksimumin tim për këtë skuadër.

Objektivi i Teutës është Europa. Pas këtyre luhatjeve, mos ndoshta besimi nuk është aq i madh në ekip?

Kam shumë besim dhe e them me shumë bindje që ne do punojmë fort për ta realizuar objektivin e presidencës, që gjithashtu është një objektiv i të gjithëve. Presidenca siç thashë, na ka qëndruar afër, puna me stafin teknik dhe forca grupit do jenë armët tona më të forta për të shkuar në Europë sezonin tjetër.

Si është të punosh me Shkëmbin?

Është tepër pozitive të punosh me të. Na ka qëndruar pranë në çdo moment, sidomos në këto dy javët e fundit dhe ne duhet t’ia shpërblejmë besimin e tij me fitore dhe rezultate pozitive në javët në vazhdim.

A. Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"